×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Në Shqipëri përdoret Leku, por shqiptarët të “çmendur” pas monedhës Euro

    Reporteri
    27 Tetor 2019 | 23:03

    Pavarësisht politikës së deuroizimit të Bankës së Shqipërisë, “dashuria” e shqiptarëve për euron sa vjen e rritet.


    Por krahasuar me rajonin, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë një normë popullsie që posedon para cash në euro, më të lartë se vendi ynë.

    Në vitin 2014 ata që besonin se futja e euros do të ndodhte në 5 vite, ishin sa gjysma e atyre që janë sot, vetëm 15%. Thuajse 35% e shqiptarëve ndërkohë mendojnë se, euro do të jetë monedhë zyrtare në vendin tonë në 6-10 vitet e ardhshme.

    Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk do të vijë pa integrimin ekonomik, pra integrimin e tregjeve tona me ato europiane. Integrimi lidhet kryesisht me standardizimin.

    Shumë tregje janë larg standardeve europiane. Integrimi politik dhe social, pa atë ekonomik është i pamundur, e ndërkohë që integrimi politik kërkon vullnet më të madh e më shumë kurajë nga të gjitha palët e përfshira, integrimi ekonomik është në dorë vetëm të tregjeve dhe aktorëve kryesorë të tij. Banka Qendrore e Austrisë, në një raport të publikuar së fundmi hedh sadopak dritë mbi këtë aspekt të ekonomisë shqiptare, me fokus kryesisht te përdorimi i Euros.

    1/3 e shqiptarëve mbajnë euro “cash”

    Banka Qendrore e Austrisë ka publikuar një studim të ri me të dhëna mjaft interesante sa i përket integrimit europian gjatë 30 viteve të fundit. Raporti është periodik dhe i refererohet tremujorit të tretë të vitit.

    Në analizë, Banka Qendrore e Austrisë merr edhe vendin tonë, si një prej atyre shteteve që është munduar vazhdimisht këto tre dekade të integrohet ekonomikisht me Europën, si formalisht, ashtu edhe jo-formalisht. Një prej të dhënave që del në pah nga raporti, është edhe ajo e pjesës së popullsisë që mban euro cash.

    Kjo normë fiksohet në diçka më shumë se 30% të popullsisë në të dhënat më të fundit, që i referohen viteve 2017-2018. Grafiku tregon qartë se, norma është në rritje krahasuar me vitet e kaluara. Pra, pavarësisht politikës së deuroizimit të Bankës së Shqipërisë, “dashuria” e shqiptarëve për euron sa vjen e rritet.

    Vetëm në vitet 2007-2008 norma ka qenë më e lartë se sot, në rreth 32%. Pas këtyre viteve norma ra deri në rreth 26% në vitet 2013-2014. Krahasuar me rajonin, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë një normë popullsie që posedon para cash në euro, më të lartë se vendi ynë. Por, sa është sasia mesatare e parave në euro që mbajnë shqiptarët cash, nëpër duar?

    Edhe kësaj pyetje i jep përgjigje Banka e Austrisë. Sasia mesatare e eurove cash që mbajnë shqiptarët fiksohet në 200 euro për periudhën 2017-2018. Kjo sasi është në rritje të ndjeshme krahasuar me periudhën 2015-2016, por sërish shumë larg niveleve të viteve 2007-2012, kur shqiptarët kishin thuajse 400 euro cash për frymë. Të dhënat e këtij raporti janë mbledhur në formën e një ankete.

    30% e shqiptarëve “rrëzojnë” Lekun

    Një në tre shqiptarë beson se, në harkun e 5 viteve të ardhshëm, leku nuk do të jetë më monedha vendase. Thuajse 30% e shqiptarëve besojnë kështu se, në harkun e 5 viteve të ardhshme, monedha jonë kombëtare do të jetë euro, monedhë të cilën do ta ndajmë me vendet e eurozonës, por edhe me fqinjin tonë, Kosovën.

    Anketimi është kryer nga Banka Qendrore e Austrisë dhe ndër të tjera tregon se, krahasuar me vitin 2014, optimizimi i shqiptarëve sa i përket integrimit tonë europian është rritur.

    Në vitin 2014 ata që besonin se futja e euros do të ndodhte në 5 vite, ishin sa gjysma e atyre që janë sot, vetëm 15%. Thuajse 35% e shqiptarëve ndërkohë mendojnë se, euro do të jetë monedhë zyrtare në vendin tonë në 6-10 vitet e ardhshme.

    Në 2014-ën kjo normë ka qenë ndjeshëm më e ulët. Rreth 10% ndërkohë mendojnë se s`do të ndodhë kurrë, ndërsa pjesa tjetër mendon se kjo do të ndodhë pas 20 vitesh, apo shprehen se nuk e dinë. Por ajo që bie në sy ndjeshëm po të krahasojmë dy grafikët, është fakti se, optimizmi është rritur ndjeshëm, dhe mesa duket, kjo gjë lidhet ngushtë me perspektivën e integrimit europian të vendit tonë.

    Optimimi i lartë i shqiptarëve për euron justifikon disi edhe shifrën tjetër të bërë publike nga Banka Qendrore e Austrisë, atë se, rreth 30% e shqiptarëve mbajën euro cash, mesatarsisht 200 euro për frymë.

    Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ato kandidate për t`u bërë pjesë e unionit, shqiptarët janë më optimistët në këtë drejtim./scan magazine

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!