Një anti-amerikan, një enverist dhe të tjerë të dëbuar nga Kosova – këta janë themeluesit e Vetëvendosjes në Tiranë

Autor: Mentor Gjergjaj 


Kush do ta besonte?! Një njëri që tek ndjekësit e tij shpërndante konspiracion të facebook-ut se ISIS-in e kanë krijuar amerikanët, katër vite pas mirëpritet të jetë drejtor i një organizate politike, mu në Tiranë – kryeqendrën e të gjithëshqiptarëve – popullit të të cilit vend SHBA-ja tradicionalisht i ka zgjatur dorën e ndihmës. Madje, edhe ka çliruar e pavarësuar vëllezërit e tyre të mbetur në Kosovë, jashtë kufirit etnik. Krah tij qëndron një enverist që kërkonte shtatore për ish-diktatorin shqiptarë dhe dy të tjerë që sikur vetë Boiken Abazin, Kosova i shporri nga territori i saj.


Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri tashmë është ngritur. Organizata politike e Albin Kurtit ka krijuar edhe degën e saj politike në Tiranë.

Gjithçka do të nisë si lëvizje, ashtu siç kishte nisur Vetëvendosja në 2005-en, e që katër vite më vonë u shndërrua në parti politike, deri më sot çdo herë opozitare.

Drejtor Ekzekutiv i votuar unanimisht nga Bordi i kësaj qendre është Boiken Abazi.

Njoftimin e ka dhënë vet ai, të hënën, duke shpërndarë edhe aktin e themelimit të kësaj organizate të datës 11 mars 2019 i dorëzuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tiranë.

Në Kosovë, të gjithë, me siguri se kanë dëgjuar për Abazin. Por edhe bashkëpunëtoret e tij, Arbër Zaimi e Dejona Mihali, të cilët i ka brenda bordit të organizatës më të re në Shqipëri.

Treshja, sa ishin aktivistë të Vetëvendosjes në Kosovës cilësoheshin si koka e organizimit të protestave dhe aksioneve të kësaj partie – që kryesisht ishin të dhunshme, shkruan Reporteri.net.

E dhuna e aktivistëve të motivuar nga ta, përveç ndaj shesheve, institucioneve, e politikanëve, e individëve tjerë vendorë, kishte shkuar edhe në ballafaqim fizik të një ambasadoreje të huaj. Bile, jo çfarëdo ambasadore, por atë të SHBA-ve.

Ish-ambasadorja e Amerikës në Prishtinë, në qershor të 2013-ës, përmes një fotografie kishte treguar plagët që kishte marrë në dorën e saj të djathtë gjatë një ballafaqimi me aktivistët e partisë së Albin Kurtit, derisa ishte nisur për të hyrë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës.

Arsyetimi i vetëm i VV-së atëkohë, ishte se aktivistët e saj që ndjekin mësimet e të protestuarit nga treshja nga Shqipëria Abazi-Zaimi-Mihali, nuk kishin qëllimin që ta sulmonin ambasadoren e superfuqisë botërore, aleates së pakontestueshme të Kosovës, e madje edhe të Shqipërisë, vendit të ri ku VV-ja po shtrihet.

E vetëm një vit e dy muaj më pas, jo fizikisht, por përmes facebook-ut, vetë ‘maestro’ i protestave në VV, sulmoi sërish Amerikën. Madje, shkoi aq larg sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i lidhi me organizatën terroriste “ISIS”.

E gjitha ndodhi, në kohen kur SHBA-ja dhe fuqitë tjera perëndimore veçse i kishin shpallur luftë ISIS-it, organizatës terroriste që në atë kohë me të madhe po i bashkoheshin edhe të rijnë nga Kosova.

“Per ata qe ende nuk besojnë se ka patur nje lidhje te ngushte mes SHBA-se dhe ISIS ne Siri/Irak, ka nje foto e liderit te ISIS me senatorin John McCain”, kishte shkruar drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi në facebook, më 15 gusht 2014. Këtij postimi ai i kishte bashkëngjitur një fotografi konspirative që atëbotë shpërndahej me të madhe nga radikalët islamikë që përkrahnin dhunën dhe krijimin e kalifatit të ISIS-it, në Siri, Irak e më gjerë.

Aty pretendohej për një takim mes senatorit amerikan dhe dy herë ish-kandidatit për President të SHBA-ve, tashmë të ndjerë, që në vitin 1999 kishte qenë një nga përkrahësit e intervenimit të NATO-s për çlirimin e Kosovës – John McCain me Abu Bakr al-Baghdad. Ky i fundit, ish-lideri shpirtëror dhe ushtarak i ISIS-it, i raportuar i vrarë para dy vitesh.

Fotografia në fjalë, të cilën aktivisti i VV-së në Kosovë dhe drejtori i saj në Shqipëri e përdori për propagandë, kurrë nuk është verifikuar dhe besohet të jetë montazh.

Kur mediat e raportuan këtë, Abazi si argumentin më të fortë e përdori sulmin ndaj mediave, duke linçuar gazetarët. Kështu bënë edhe shumë ish-bashkëpartiakë të tij, që linçimin e përjetuan, sikurse vetë e bënin me mësimet e Abazit e të tjerëve, hiç më larg se vitin e shkuar – kur i ndanë rrugët në politikë.

Shumë vite pas këtij postimi, e pas shumë e shumë të bëmash tjera të Abazit në Kosovë, tek në vitin 2016 autoriteteve kosovare iu kujtua se ai po qëndronte në Prishtinë pa leje-qëndrim.

Boiken Abazi më 16 mars 2016, pasi fillimisht u arrestua, më pas u deportua nga Kosova, shkruan Reporteri.net. Njëjtë sikur me drejtorin e VV-së në Tiranë, kishte ndodhur edhe dy anëtaret tjerë të bordit, Arbër Zaimi e Dejona Mihali.

Në arsyetimin se pas verifikimit të hyrje-daljeve në Kosovë, Policia kishte konstatuar se treshja nga Shqipëria, herën e fundit kishin hyrë ilegalisht brenda territorit kosovar. Andaj, përveç deportimit, Ministria e Punëve të Brendshme atyre ua kishte ndaluar për një kohë hyrjen në Kosovë.

Treshen në fjalë, një ish-bashkë partiakë e tyre me të cilën kishin hyrë në disa polemika publike, i kishte denoncuar për krijimin e një shtetit të tretë në Kosovë, duke i konsideruar si shumë të rrezikshëm dhe kriminalë. Jo shumë kohë më pas, disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u akuzuan, dënuan e më pas u kthyen në rigjykim, për kryerjen e sulmit terrorist ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, natën e vonë të 4 gushtit të vitit 2016.

Treshja Boiken Abazi, Arbër Zaimi e Dejona Mihali, edhe në qendrën e VV-së në Tiranë, pjesë si anëtar bordi do ta kenë edhe profesorin nga Tirana, Hysamedin Feraj.

Nëse ky i fundit nuk mbahet mend për gjë, padyshim se për kërkesën që ish-diktatorit komunist Enver Hoxha t’i ngritët shtatore në Tiranë, PO.

“Nëse historia e ardhme do të ketë ndonjë ngjashmëri me të shkuarën dhe të sotmen mund të parashikohet se Enver Hoxha po ashtu do të ketë një objekt publik në të cilin do të paraqitet për t’u lexuar. Me të njëjtat argumente: se ka luajtur rol të rëndësishëm në historinë shqiptare, se roli i tij është kontradiktor, dhe se secilit mund t’i kujtojë, tek ecën rrugës, se çka do duhej e çka nuk do duhej bërë. Dallimi i distancës kohore do të pakësohet ndërsa ngjashmëria e gjykimit për ‘ta do të përafrohet”, kishte thënë ai nder-tjera në një intervistë për një gazetë në Shqipëri, në maj të vitit 2014, që një pjesë të konsiderueshme të saj e kishte shfrytëzuar për të folur për Enver Hoxhen.

Përveç Abazit si Drejtor, Mihalit, Zaimit dhe Feraj anëtarë të bordit, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri në krye të saj do të ketë edhe Enis Sulstarova i zgjedhur Kryetar i Bordit, deputetët e VV-së Liburn Aliun e Sami Kurteshin, Elvis Hoxhën, dhe Gearda Demiraj.

Themeluesit e kësaj organizate, sipas njoftimit, janë deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, dhe Gearda Demiraj, Dejona Mihali, Enis Sulstarova, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha e Boiken Abazi.

“Ne nuk synojmë të transformohemi sot në një subjekt politik në Shqipëri. Ne synojmë të jemi aktivë përmes shoqërisë civile, duke krijuar ura bashkëpunimi në Shqipëri me atë në Kosovë, e më gjerë edhe rajon ku janë shqiptarët, si dhe me institucionet dhe subjektet shqiptare”, u ka thënë Boiken Abazi mediave në Shqipëri, të hënën. /Reporteri.net/.