Nuk ndalen skandalet: Lokali i dhunuesit të turistëve spanjollë është pa leje ndërtimi

Pak ditë më parë, pronari i lokalit “Panorama” në Porto Palermo të Vlorës dhunoi dhe terrorizoi disa turistë spanjollë. Këta të fundit, ishin në lokalin e Mihal Kokëdhimës, por u larguan të zhgënjyer nga shërbimi i lokalit, pasi në tryezë u kishin sjellë edhe ushqime të cilat ata nuk i kishin porositur.


Për këtë arsye ata ishin larguar pa i paguar. Konflikti ka degraduar në ofendime e më pas në dhunë fizike. Duke parë situatën e rënduar, turistët kanë hipur në furgon për t’u larguar nga lokali, por pronari i tij nuk e ka lënë me kaq.

Turistët spanjollë kanë qenë të shoqëruar nga dy shqiptarë të cilëve u dëgjohet zëri edhe në video.

Në këtë të fundit, duket 51-vjeçari Mihal Kokëdhima duke thyer me grushta xhamin e furgonit me të cilin po udhëtonin turistët spanjollë në Shqipëri.

Mësohet se lokali “Panorama” është ndërtim pa leje, por në process legalizimi.

Pronari i lokalit, Mihal Kokëdhima, i sulmoi turistët duke u hedhur mbi furgon, dhe në një rrugë 3 km qëndroi mbi kofanon e automjetit duke goditur me grushte xhamin e përparmë të cilin e theu duke u gjakosur edhe vet.

Kjo situatë ka shkaktuar panik tek turistët, të cilët kanë nisur të shqetësohen dhe të bërtasin. I shqetësuar po ashtu ka qenë edhe shoferi i furgonit, i cili ka qenë në dilemë të vazhdojë t’i japë makinës, apo ta ndalojë atë.

Nga mjeti dëgjohen britma dhe ofendime, ndërsa ka edhe njolla gjaku, si pasojë e goditjes së xhamit me grusht nga Kokëdhima.

Sipas gazetës “Shqip”, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, i vetmi biznes në emër të Mihal Kokëdhimës, rezulton një aktivitet në fushën e kultivimit dhe tregtimit të peshkut, i hapur në 12 prill të vitit 2008, por që aktiviteti i tij është tashmë i pezulluar. Ky biznes ndodhej në Qeparo, në Gjirin e Shënkollit.