Presidenti Ilir Meta tregon si e përjetoi tërmetin

Presidenti Ilir Meta ka treguar këtë mbrëmje eksperiencën e tij personale kur Shqipërinë e goditi tërmeti 6.4 i shkallës Rihter.


Në një intervistë të dhënë sot në mbrëmje për emisionin “Përballë” në RTSH, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka apeluar domosdoshmërinë e një reflektimi të madh pas pasojave tragjike që la pas tërmeti, veçanërisht të shtetit e klasës politike.

Meta ka vënë në dukje se shumë prej forcave tona të kërkim- shpëtimit nuk i kanë pasur pajisjet dhe kapacitetet e duhura. Por sërish, thekson Meta, përkushtimi i punonjësve shqiptarë ka qenë i plotë, pavarësisht mungesës së mjeteve.

Gazetarja: Do doja t’ju pyesja për përjetimin tuaj. Çfarë menduat në momentet e para pas goditjes dhe çfarë ndjetë kur shkuat në terren, në momentet e para?

Presidenti Meta: Përjetimi i parë ishte, se ndoshta nuk ishte një tërmet kaq katastrofik sa u duk. Pasi lëkundje pak a shumë të ngjashme, pavarësisht se këtë herë zgjatën pak më shumë, ndodhën edhe më 21 shtator 2019.

Por, më pas me të dhënën e parë që një person kishte humbur jetën në Laç dhe më pas, me të dhënat që disa pallate dhe hotele ishin përmbysur në Durrës, situata u bë më alarmante. Por, kurrë nuk e mendova që pasojat do të ishin kaq të mëdha dhe atë e kuptova vetëm kur kam shkuar në mëngjes herët në Thumanë dhe kam parë dy pallate totalisht të dobësuara. Aty e kuptova se situata ishte mjaft tragjike dhe se do të kishim një numër të lartë të viktimave për fat të keq. Ashtu sikurse edhe kur kam shkuar në Durrës. Atje kam qenë shumë i pashpresë për djalin e ri, i cili shpëtoi falë edhe ekipeve të shpëtimit dhe mrekullisë së Zotit, për Klajdin.

Paradite nuk e kam besuar se ai do të kishte mundësi të shpëtonte nga ato rrënoja të tmerrshme dhe isha aty kur gjyshi i tij doli dhe ai kishte rezultuar me jetë të humbur, por në mbrëmje pastaj kam mbetur totalisht i impresionuar nga ajo mrekulli që ka ndodhur, edhe në disa raste të tjera ku janë shpëtuar disa qytetarë, të cilët ranë në kurthin e këtyre rrënojave.

Gazetarja: Meqë përmendëm rastin e shpëtimit të 24-vjeçarit, të cilën ju e ndoqët, zoti President, çfarë menduat kur patë diferencën e madhe në mjete dhe pajisje mes efektivëve të huaj të kërkim-shpëtimit dhe atyre shqiptarë?

Presidenti Meta: Kjo është diferencë e qartë dhe është një moment i rëndësishëm mendoj e të gjithë kësaj përvoje për të reflektuar, për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të tilla kaq të rëndësishme. Pasi, reagimi i parë është tepër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Në çdo rast ndihma e huaj sado shpejt të vinte dhe përgjigja ka qenë shumë e shpejtë, do të kërkojë kohë derisa të përgatitet apo të jepen leje e miratimet.

Për fat të mirë FSK-ja dhe Kosova u përgjigjën menjëherë dhe brenda 2-3 orëve ata kanë qenë në terren dhe kanë bërë një punë shumë të mirë. Më pas edhe ekipet e vendeve të tjera.

Kur kam parë ekipin grek që dha një kontribut kyç për shpëtimin pas asnjë lëndim të 24-vjeçarit Klajdi, jam impresionuar nga e gjithë sjellja e tyre profesionale dhe përgatitja e lartë psikologjike, edhe pse ishin nën presionin e shumë njerëzve që kërkonin veprime sa më të shpejta.

Natyrisht kjo tregon se jo vetëm që janë më të mirëpajisur, por edhe që kanë një përvojë më të madhe. Është e rëndësishme për ne që të investojmë më shumë për të forcuar kapacitetet tona të këtyre emergjencave civile dhe njëkohësisht t’i dërgojmë gjithmonë për eksperiencë, edhe si solidaritet, siç edhe pritëm një solidaritet të tillë, por edhe për të përfituar, sepse kuptohet eksperienca e vërtetë është ajo në ngjarjen e vërtetë. Megjithatë unë kam parë që edhe forcat tona kanë bërë maksimumin brenda atyre mundësive dhe kapaciteteve që kanë pasur.

Gazetarja: Edhe jashtë kapaciteteve.

Presidenti Meta: Po, edhe jashtë kapaciteteve. Kam parë që mobilizimi ka qenë. Ka qenë dëshira dhe përkushtimi.

Kam parë një përkushtim të jashtëzakonshëm te zjarrfikësit e Kavajës, te rasti i Klajdit dhe i gjithë të tjerëve, por është një mundësi e madhe për të reflektuar seriozisht. Dhe jo vetëm për emergjencat civile, por njëkohësisht edhe për institucionet shkencore, të cilat kanë një rol të rëndësishëm për parashikimin, monitorimin apo paralajmërimet që duhet të japin në këto raste dhe që duhet të forcohen edhe me e me pajisje më moderne të kohës, pasi për një ditë të tillë duhen.

Gazetarja: Zoti Meta, ju keni qenë vazhdimisht në terren këto ditë. Jeni takuar me njerëz që janë prekur nga goditjet e tërmetit në mënyrë më të rëndë se sa të tjerë. Çfarë ju ka bërë përshtypje?

Presidenti Meta: Tani e rëndësishme është që në zonat më të goditura ku unë kam qenë, njerëzit kanë arritur ta kuptojnë që ky ishte një tërmet i fuqishëm. Ishte një tërmet mjaft i rrezikshme. Shumë zona ku nuk ka pasur viktima, ata ndihen deri diku të qetë që nuk kanë pasur humbje jete, por kuptohet që kjo është për momentin e parë, dita e parë, dita e dytë, java e parë, pastaj fillojnë gjithë operacioni.

Gazetarja: A keni takuar njerëz të revoltuar?

Presidenti Meta: Po, patjetër. Takova në Shkafanë një burrë të vjetër shumë të revoltuar. Unë shkova për të parë disa shtëpi atje pasi më thanë që ishin në kushte shkatërrimtare, dhe kishin nevojë për mbështetje, në radhë të parë për çadra dimërore, sepse nuk duan të ikin nga shtëpitë e tyre. Më erdhi dikush, një burrë rreth 70 vjeç, shumë i shqetësuar. Do të vish te shtëpia ime! – më tha, sepse kishte pasur probleme me kryeplakun apo me administratorin e fshatit atje. Ku shkova atje, ai ishte mjaft i revoltuar dhe kishte të drejtë, sepse shtëpia e tij kishte rënë komplet.

Unë e sigurova që do t’i çonim një çadër dimërore dhe ato mundësitë e tjera për ta ndihmuar. Më tha që tani nuk dua çadër, por dua që të bëhet shtëpia. Por sigurisht që ajo është një çështje që do të kërkojë kohën e saj, por ne do ta mirëkuptojmë edhe durimin e njerëzve, sepse kjo është një fatkeqësi e madhe.

Njerëzit kanë punuar një jetë të tërë, me fëmijët në emigracion, kanë investuar. Për fat të keq nuk kanë pasur mundësinë dhe njohurinë, nuk kanë pasur atë përgjegjshmërinë le të themi për të menduar për një ditë të tillë. Dhe deri diku për të kursyer për projektin, diku për të kursyer për hekurin, diku për të kursyer për betonin, diku cilësia etj., kemi rezultuar në një situatë problematike.

Megjithatë ne duhet të jemi të duruar, sado ata të kritikojnë, sado të na bëjnë përgjegjës, sepse në fund fare e gjitha kjo situatë pa asnjë diskutim është një përgjegjësi e gjithë mënyrës se si është drejtuar vendi në këto tri dekada për shumë arsye objektive dhe subjektive, por sidomos subjektive, pasi kurrë nuk do të kishim një hata të tillë urbanistike, ku të ndërtohej në zona që nuk lejohej apo të ndërtohej me të njëjtat parametra në zonat me cilësi tërësisht të ndryshme të gjeofizikës apo të elementeve të tjera. Tani është koha për një reflektim të madh.

Është koha për të bërë sa më shpejt, për ta azhornuar hartën e risqeve fizike që ka Shqipëria, si për tërmetet, si për përmbytjet, si për rrëshqitjet, dhe njëkohësisht vendosja në legjislacionin tonë të ndërtimit eurokodet. Të jetë e detyrueshme. Jo vetëm një njeri që ka përgjegjësi…

Gazetarja: Jo vetëm të vendosen, por edhe të zbatohen ato.

Presidenti Meta: Patjetër. Ajo është kryesorja. Dhe natyrisht në këtë drejtim ka rëndësi edhe ndëshkimi për këto ndërtime, të cilat kanë rezultuar fatale për shkak të mosrespektimit të ligjit.