×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama: Shqipëria, ndër shtetet që ka humbur më pak vende pune nga karantina

    Reporteri
    29 Shtator 2020 | 14:00

    Kryeministri Edi Rama, në një konferencë për shtyp ka premtuar se në shkurt të vitit 2021, do ta çojë nivelin e papunësisë nën 11%.


    Kreu i qeverisë shtoi se 13 mijë persona rezultojnë ende të papunë që pas vendosjes së vendit në karantinë për shkak të pandemisë së koronavirusit, shifra këto sipas tij më të ulta krahasuar me vende të tjera.

    Po ashtu, Rama deklaroi se projeksionet për ekonominë shqiptare ishin pozitive, por tërmeti dhe pandemia ndikuan për ndryshimin e tyre.

    Kjo deklaratë vjen pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerësoi se për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia shqiptare parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020.

    “Gjatë javës së fundit kemi marrë masa të tjera, e para për ripunësimin. Për personat që humbën vendin e punës gjatë karantinës, sot kemi një shifër të saktë. Kemi 13 mijë persona ende të pariintegruar, nga rreth 33 mijë që e humbën vendin e punës si pasojë e karantinës. Krahasuar me vendet e tjera, besoj se hyjmë tek vendet që kemi humbur më pak. Sot jemi në kushtet kur janë 1 mln minus në Rumani, apo 45 mijë në Kosovë. Serbia 200 mijë. Këto nuk janë për të thënë se jemi përballë një çudie, apo mrekullie. Duam të ripunësojmë më shpejt ata që ishin të punësuar me herët. Ndaj kemi vënë në dispozicion programet e ripunësimit. Në harkun e një viti, do ta tejkalojmë nivelin e shkurtit të këtij viti, muaj i fundit para karantinës, ku ka pasur 11 % papunësi, shifër e konfirmuar nga Banka Botërore. Jo në raport me ata që bëjnë spekulime dhe thonë se; ‘jo ka njerëz që kanë ikur nga Shqipëria’. Ky i shkurtit është niveli më i ulet i popullsisë në rajon. Ne kemi një sfidë për të fituar që është raporti mes vendit të punës dhe pagës, që patjetër duhet atakuar me rritjen e pagës minimale. S’do ketë më pagë minimale nën 300 vjetra. Nuk flasim për një ‘do të’ , por një ligj i Kuvendit të Shqipërisë në korrik. Sot biznesi i vogël, deri në 100 mln xhiro është i çliruar nga tatim-fitimi dhe TVSH. Ndërsa biznesi i vogël, ka TVSH dhe është i çliruar totalisht nga tatim-fitimi.”, tha Rama.

    “Deri një ditë para tërmetit, projeksionet për ekonominë shqiptare ishin pozitive. Papunësia, e cila për vitin 2019 ishte më e ulëta në rajon me 11%, pritej të shkonte edhe më poshtë. Borxhi ishte në trajektore rënëse nën 65%, investimet e huaja dhe turizmi do të kishin impakt të shtuar, por gjithçka ndryshoi me tërmetin e parë dhe me tërmetin e Covid-19. Sidoqoftë, masat e marra nga qeveria në të dy drejtimet, konferenca e donatorëve e suksesshme e Brukselit, si dhe paketat e shpëtimit në periudhën e karantinës së përgjithshme kanë ndihmuar që sot të mund të themi pa frikë se nëse mund të kishim kaluar lehtësisht në më shumë se -10% të prodhimit të përgjithshëm, presim të kufizohemi në më pak se 4,5%. Nuk është pak si parandalim”, shtoi kryeministri./Opinion.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!