×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Rama sqaron ftesën për Bashën: Nuk është thirrje për qeveri, s’kemi nevojë

    Reporteri
    16 Prill 2021 | 14:20

    Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish ditën e sotme, teksa ishte në një takim me qytetarët në Tiranë, ftesën që i ka bërë kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për bashkëpunim.


    Rama ka sqaruar se thirrja e tij nuk është për të bërë qeverinë së bashku, dhe shprehet i bindur se Partia Socialiste do të marrë shumicën absolute të vota duke mos patur nevojë për bashkëpunim.

    Ndër të tjera kryeministri Rama tha se ftesa e tij është për t’u bashkuar në interes të shqiptarëve dhe për t’u ardhur në dobi njerëzve.

    Ju e keni dëgjuar këto ditë muhabetin lidhur me çfarë unë thashë sa i përket bashkëpunimit me Lulzim Bashën dhe PD-në. Natyrisht që mënyra si komentohet është e njëjta, me botoks, ose me shkarravina. Në fakt sot nëse ka këtu në këtë vend veshë që mund ta dëgjojnë dhe kuptojnë deri në fund atë që them janë veshët e nënave, të rejave dhe të moshuarave, janë veshët e gjysheve që me të drejtë kanë shqetësimin, çfarë do të bëjë më shumë Edi Rama, PS, çfarë do të bëjë më shumë politika për ne?

    Dhe si do bëhen të gjitha këto? Se të bukura duken dhe dakord jemi. Si do bëhen të gjitha këto me këtë politikë që është mina me sahat që plas gjatë gjithë rrugës ndërkohë që ne duam të ecim përpara. Thirrja për të bashkuar, vetëdija ime se bashkimi dhe tejkalimi i kësaj politike është një domosdoshmëri. Nuk është një thirrje për të bërë një qeveri bashkë siç i bëri Saliu qeverinë me këtë Liken nga halli kur s’kishte votat, apo siç ka ndodhur bashkimi i partive për interesat e tyre. Nuk ka lidhje fare, ne nuk kemi nevojë, dhe as nuk do të jemi në nevojën që do të kërkojmë vota apo të kërkojmë të tjerë sepse në 25 Prill do të marrim shumicën absolute.

    Por është një thirrje për ta bërë politikën t’i ngjajë sadopak në mos shumë, shqiptarëve. Shqiptarëve përballë tërmetit pandemisë, përballë rrezikut. Shqiptarët në ato faza i bashkoi ajo që e vuanin njësoj nga brenda, por politika duhet të bëjë që bashkimi të mos vijë nga vuajtja ose nga halli, por nga bindja se ky është detyrimi më i madh, më i rëndësishëm, më i dobishëm ndaj njerëzve. Për ta bërë politikën një hapësirë ku njerëzit të mos kenë frikë të hynë.

    Kjo qenëri duhet të tejkalohet dhe lihet pas sepse Shqipëria është shumë e vogël për të mos ia dalë, por duke qenë e vogël është e destinuar të bjerë poshtë kur është e ndarë. Kjo nuk ka lidhje fare me çfarë bën industria e botoksit mediatik. Të gjithë ata që besojnë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të pasur më shumë në jetë se sa të punosh më shumë kanë vetëm një rrugë më 25 Prill, Partinë Socialiste, se nuk ka tjetër”, tha Rama

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!