×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Shqipëria nënshkruan marrëveshje me Italinë për mësimdhënien e gjuhës italiane

    Reporteri
    18 Maj 2021 | 19:15

    Ministrja e Arsimit, e Sporteve dhe e Rinisë së Shqipërisë Evis Kushi, Ministrja e Ekonomisë dhe e Financave, Anila Denaj, dhe Ambasadori i Italisë, Fabrizio Buçi kanë nënshkruar Marrëveshjen e re të Mirëkuptimit mbi Programin “Iliria” me qëllim nxitjen e mëtejshme të mësimdhënies së gjuhës italiane, si gjuhë e parë e huaj, në sistemin arsimor shqiptar.


    Me anë të kësaj Marrëveshjeje, Shqipëria merr përsipër të përhapë mësimdhënien e gjuhës italiane në sistemin parauniversitar. Ndërsa Italia, nga ana e saj, do të vijojë të mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të mësimdhënies së gjuhës italiane përmes lëvrimit të kontributeve në dobi të mësuesve shqiptarë të gjuhës italiane si dhe furnizimit, me materiale didaktike, të bibliotekave dhe laboratorëve të shkollave “Iliria”.

    Italia do të vijojë gjithashtu të japë ndihmesën e saj në formimin e mësuesve shqiptarë të italishtes përmes Zyrës së Shkollave të Ambasadës së Italisë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, duke vënë theksin kështu në angazhimin e vazhdueshëm italian në integrimin nëpërmjet projekteve inovative dhe nismave kulturore të kurrikulave tradicionale të mësimdhënies.

    Kjo Marrëveshje parashikon gjithashtu edhe përfshirjen e shkollave teknike – profesionale vendase me module në gjuhën italiane të lëndëve jo gjuhësore, duke pasur parasysh praninë e gjerë të sipërmarrjeve italiane në Shqipëri si dhe nevojën për gjetjen e burimeve njerëzore të kualifikuara në vend.

    “Gjuha italiane ka qenë një mjet i rëndësishëm për breza të tërë shqiptarësh, për të çelur një dritare drejt botës. Falë Programit “Iliria” janë formuar, ndër vite, jo vetëm të rinjtë shqiptarë por edhe mësuesit e gjuhës italiane. Synimi ynë është të fuqizojmë mësimdhënien e gjuhës italiane në Shqipëri duke e çuar italishten edhe në shkollat profesionale shqiptare”, tha ambasadori italian, shkruan Eurronews Albania.

    Ministrja Kushi theksoi se “përfshirja e arsimit dhe formimit profesional ka ardhur si nevojë e tregut të punës për të pasur më shumë profesionistë të fushave të ndryshme që njohin gjuhën italiane”.

    “Që prej vitit 2006 kur ka filluar kjo marrëveshje, ka dhënë kontribut dhe ndihmë të madhe pikërisht në trajnimin e mësuesve të gjuhës italiane. Edhe në këtë marrëveshje është shumë e rëndësishme që pala italiane angazhohet për trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve të gjuhës italiane, madje duke përfshirë në këtë proces edhe profesorë nga universitetet më prestigjioze të Italisë, siç është Universiteti Shtetëror i Milanos”, deklaroi ministrja e Arsimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!