×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Tensionet politike në Shqipëri, sulmohen KZAZ-të në disa qytete

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 16:54

    Shqipëria po përjeton tensione politike nga veriu në jug ndërsa zgjedhjet vendore të 30 qershorit po afrohen në kushtet kur presidenti ka deklaruar anulimin e tyre ndërsa qeveria kërkon të votohet me çdo kusht më 30 qershor.


    Prej rreth 48 orësh në të gjitha bashkitë ku qeverisë opozita në Shqipëri ka pasur tensione e në disa raste përleshje mes policisë bashkiake e asaj të rëndit për shkak KZAZ-ve, raporton Koha Ditore.

    Bashkitë e djathta kërkojnë lirimin e ambienteve që administrohen prej tyre në zbatim të dekretit të Presidentit, nga ana tjetër policia mbron këto ambiente me urdhër nga qeveria.

    Ndërkohë që mazhoranca ka bërë gati ligjin për ashpërsim të kodit penal për krimet zgjedhore, i cili pritet të miratohet në seancën e nesërme parlamentare.

    Sipas nismës së miratuar nga komisioni, të gjithë personat që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cenuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vite.

    Ndërkohë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sander Lleshaj situatën që po ndodh para KZAZ-ve në bashkitë që drejtohen nga opozita e cilësoi si “një moment kritik në betejën e ligjit me antiligjin, shtetin me antishtetin, shoqërisë me një grup paramilitar”.

    Lleshaj deklaroi se do të ndëshkohen të gjithë, ndërsa paralajmëroi dhe shkrirjen e strukturave të policive bashkiake të këtyre bashkive.

    Në një prononcim për median në orën 14:30, Lleshaj deklaroi se, “procesi zgjedhor po sulmohet dhe provokohet në mënyrë të organizuar dhe policia do të përgjigjet propocionalisht dhe me vendosmëri deri në fund”.

    Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar për zhvillimet e fundit në Shqipëri.

    Ai e cilëson gjithçka të parashikuar, duke e quajtur aksionin e opozitës nëpër KZAZ, “revolucion imagjinar me punonjësit e bashkive blu”.

    Kreu i mazhorancës ka një pyetje për mbështetësit e opozitës.

    “Fatkeqësisht asgjë e paparashikuar! Vijon revolucioni imagjinar me punonjësit e bashkive blu. I pyes: A ia vlen të kryeni krime zgjedhore e të përballeni me ligjin për ata që e katandisën PD-LSI në këtë derexhe dhe duan ta bëjnë hallin e tyre me drejtësinë hall të Shqipërisë? Zero!”, shkruan Rama në Twitter.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!