×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Tirana e ndjek shembullin e Prishtinës, negociata për riatdhesimin e shqiptarëve të izoluar në Siri

    Reporteri
    25 Prill 2019 | 21:58

    Ashtu siç bëri Kosova, një javë më parë kur riatdhesoi 110 shtetasit e saj nga kampi “Al-Hol” në Siri, dhe qeveria shqiptare, ka filluar përpjekjet e saj për të sjellë në Shqipëri, familjarët dhe fëmijët e luftëtarëve shqiptarë, që kanë luftuar në Siri për krah grupit terrorist ISIS.


    Një burim pranë Policisë së Shtetit tha për “Shqiptarja.com” se Shqipëria, nëpërmjet kanaleve diplomatike të Ministrisë së Puneve të Jashtme, ministrisë së Brendshme, asaj të Drejtësisë dhe SHISH, ka filluar të dialogojë me partnerët ndërkombëtarë me qëllim që shumë shpejt në Tiranë, të riatdhesohen.

    Shqipëria po mban kontakte të vazhdueshme me disa shoqata humanitare si “Kryqi i Kuq” dhe segmente të inteligjencës amerikane me qëllim riatdhesimin e shqiptarëve që mbahen të izoluar në kampin “Al-Hol” në Siri. Në këtë operacion Shqipëria, duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë juridike, politikë, ekonomike dhe sociale, për të trajtuar në mënyrën e duhur brenda kuadrit ligjor, çdo person që do riatdhesohet.

    Kujtojmë që në kampin “Al-Hol” ndodhen dhe 6 fëmijë bebe, që kanë lindur në Siri. Pak ditë më parë “Shqiptarja.com” raportoi se në kampin “Al Hol” në Siri që kontrollohet nga forcat ushtarake kurde, jetojnë plot 50 shtetas shqiptarë, kryesisht fëmijë dhe gra, që janë kapur gjatë luftimeve mes forcave kurde dhe dy organizatave terroriste ISIS dhe Al-Nustra që vepronin në Siri dhe Irak, shkruan shqiptarja.com.

    Të gjithë shqiptarët që mbahen të izoluar në këtë kamp, kanë shkuar në Siri, për shkak se bashkëshortët dhe baballarët e fëmijëve, kanë qënë rekrutë të dy organizatave terroriste të sipër cituara.

    Por tashmë Al-Nustra dhe ISIS janë asgjësuar ndërsa fëmijët dhe gratë e luftëtarëve të dy organizatave kanë mbetur në një kamp që quhet “Al Hol” dhe që kontrollohet nga forcat kurde. Pikërisht në këtë kamp jetojnë 73.000 fëmijë dhe gra nga shumë kombe, ku veç shqiptarëve, ka dhe kosovarëve e shqiptarë nga Maqedonia.

    Sipas të dhënave zyrtare pranë Komisionit Europian, mes viteve 2012-2015 janë 144 shqiptarë që janë nisur nga Shqipëria për të të luftuar në Siri. Ndërkohë sipas institucioneve shqiptare pas vitit 2015 nuk ka pasur më nisje drejt zonave të luftës.

    Kush është kampi “Al-Hol” në Siri që mban të izoluar mijëra familjarë të rekrutëve të ISIS

    Kampi Al-Hol është një vend i dëshpëruar,i pistë, i mbipopulluar dhe i mbushur me njerëz që askush në botë nuk dëshiron. Ky kamp në Sirinë lindore tani është shtëpia e familjeve të të ashtuquajturit Shtet Islamik – të sapombërritura nga Kalifati. Është përtej kapacitetit dhe përpiqet të merret me mijëra mbërritje (sot janë 70.000 refugjatë) ndërkohë që askush nuk ikën prej andej.

    Qeveri të ndryshme mendojnë se për to përbën problem fakti se çfarë të bëjnë me këta njerëz, por kjo nuk është asgjë në krahasim me krizën me të cilën përballen ata që janë të detyruar të marrin përgjegjësinë për ta. Kushton një milion dollarë në ditë vetëm ushqimi dhe asnjë ndihmë serioze nuk vjen nga jashtë.

    Një zyrtar i dëshpëruar kurd tha se ky vend ishte si “Kombet e Bashkuara të të Huajve”, por asnjë qeveri e vetme nuk po ndihmonte në mënyrë të përshtatshme për të ndarë barrën. Ka pak ushqim, ngrohje apo kujdes shëndetësor këtu, por ka shumë zemërim dhe dëshpërim. Ruajtja e sigurisë është një sfidë në rritje kur ka ndodhur të paktën një vrasje dhe ka shumë zënka e sherre. Në këtë tokë të dëshpëruar të askujt, disa e ruajnë strukturën e Kalifatit e disa synojnë ta shkatërrojnë atë.

    Për kurdët ky po kthehet në një skenar makthi. Këtë javë dikush më tha se “mirë bën qeveria britanike që ua heq disave shtetësinë dhe kështu pastron vendin e vet, por ata po na i lënë ne terroristët e tyre dhe ne nuk i duam”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!