×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vrasja e 46-vjeçarit në Shkodër, arrestohen tre persona, në kërkim dy të tjerë

    Reporteri
    28 Nëntor 2020 | 23:17

    Disa orë pas vrasjes së 46-vjeçarit Ridvan Hyseni në Shkodër, gjatë paradites së sotme, policia ka vënë në pranga tre persona si dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.


    Burime bëjnë me dije për ABC nga Policia e Shkodrës së një prej të arrestuarve dyshohet se është autor i ekzekutimit të Hysenit ndërsa dy të tjerët kanë përfunduar në pranga për moskallëzim krimi.

    Forcat e Policisë në bashkëpunim me RENEA-n dhe FNSH-në po vijojnë punën për kapjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.

    Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur 30 gëzhoja automatiku, ndërkohë është bërë sekuestrimi i një pistolete me dy krehër me fishekë brenda.

    Burime bëjnë me dije pranë grupit hetimore se gjithçka ka nisur pas një konflikti të ndodhur disa orë para vrasjes.

    46-vjeçari u gjet i vrarë brenda makinës së tij tip “BMW” pranë një karburanti. Dyshohet se atentatorët qëlluan me armë automatik dhe pasi kanë ekzekutuar Hysenin janë larguar me motoçikletë.

    Ridvan Hyseni (Ramazani) dhe të afërm të tij njihen si biznesmenë në fushën e turizmit. Ata kanë në pronësi të tyre lokale e hotele në plazhin e Velipojës dhe në Shirokë.

    Në vitin 2008 është ekzekutuar edhe xhaxhai i 46-vjeçarit, Enver Hyseni (Ramazani). Ky i fundit asokohe 50 vjeç, baba i tre fëmijëve u vra teksa po drejtonte mjetin”Benz” ML në aksin rrugor Dajç-Darragjat./abcnews.al

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!