Barcelona interesohet sërish për kapitenin e Milanit

Barcelona pritet të jetë aktive gjatë afatit kalimtar të verës sepse dëshiron t’i largojë nga skuadra një numër të lojtarëve në fazën e sulmit dhe të mbrojtjes, të cilët do të duhet t’i zëvendësojë. Kjo ka bërë që klubi katalonas të interesohet sërish për kapitenin e Milanit, Alessio Romagnolin.


Qendërmbrojtësi italian i Milanit, Alessio Romagnoli, është përmendur sërish në listën e lojtarëve që Barcelona dëshiron t’i transferojë gjatë afatit kalimtar të verës, transmeton Gazeta Express.

Klubi katalonas dëshiron t’i sigurojë shërbimet e një qendërmbrojtësi për shkak që lëndimet e shumta ia kanë pamundësuar Umtitit të zhvillohet si lojtar dhe ai mund të largohet së shpejti nga Camp Nou. Lëndimi i tij i fundit erdhi pikërisht në ditën kur Barcelona i rinis stërvitjet.

Sipas Sport Mediaset. Barcelona po mendon t’i ofrojë Milani lojtarë si Emerson ose Todibo për ta ulur çmimin e Romagnolit, pasi që preferon të mos ketë nevojë të shpenzojë para të shumta shkaku i dëmeve të sjella nga virusi Covid-19.

Klubi katalonas është i interesuar për Romagnolin për shkak se e cilëson atë si lojtar të përsosur për të luajtur në mbrojtje prej tre lojtarëve.

Për më tepër, paga e tij është shumë e ulët dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve financiare në Camp Nou, pasi ai paguhet më pak se tre milionë euro në vit, përkundër që ka qenë kyç në skuadrën e Milanit gjatë tre sezoneve të fundit.

Barcelona për momentin i ka 35 lojtarë të regjistruar në skuadër, kështu që trajneri Quique Setien do të duhet të zgjedhë se cilët nga ata lojtarë nuk dëshiron t’i ketë më në skuadër për sezonin e ardhshëm.