Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes ka mbështetur vendimin e UEFA-s për të shtyrë ndeshjet e plejofit për Euro 2020 dhe tërë Evropianin e këtij viti.
UEFA të martën vendosi për të shtyrë ndeshjet e plejofit, që ishte paraparë të zhvillohen në fund të muajit. Po ashtu vendosi që të shtyjë Evropianin për një vit. Ai do të zhvillohet në verën e vitit 2021. Ndeshjet e plejofit do të luhen në qershor, nëse nuk ka keqësim të situatës me koronavirus.
“E kam pritur një vendim të tillë nga UEFA dhe mendoj se është vendimi më i mirë i mundshëm në këtë kohë të vështirë në të cilën nuk duhet të mendojmë vetëm për futbollin. Në qershor, nëse luhen ndeshjet e plejofit, do të jetë mirë. Mbetet të shihet deri atëherë nëse do të ndryshojë situata, por shpresoj të bëhet mirë”, ka thënë Challandes për Koha.net, pak çaste pas vendimit të UEFA-s.
UEFA mbajti një videokonferencë me federatat nacionale anëtare të saj dhe mori vendimin.
Edhe pa koronavirus, Kosova nuk ka qenë në momentin e mirë për të luajtur në mars. Disa lojtarë ende nuk kanë nisur kampionatin e disa të tjerë janë kthyer vonë nga lëndimet që i kanë mbajtur gjatë jashtë fushës.
Ndërkohë një pjesë e lojtarëve të Kosovës, sidomos portierët, nuk kanë hapësirë te skuadrat e tyre.
Deri në qershor shpresohet për situatë më të favorshme.
“Është vendim i mirë sidomos për lojtarët që luajnë në Suedi e Norvegji, pasi shpresoj se kampionati atje do të nis në muajin tjetër. Është i mirë edhe për Arbër Zenelin e Hekuran Kryeziun që do të kenë më shumë kohë për rikuperim”, ka thënë Challandes.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.