Trajneri i Tottenhamit , Antonio Conte ka thënë se ka qenë “ shumë i befasuar ” nga gjendja e Christian Eriksen, i cili është rikthyer këtë vit me futbollin pas arrestit kardiak në Kampionatin e fundit Evropian, shkruan Reporteri.net.
Trajneri italian ka punuar me mesfushorin danez te Interi dhe marrëdhënia e tyre ka qenë gjithmonë e mirë.
Në fakt, së fundmi ai hapi publikisht dyert për t’u rikthyer në klubin londinez , ku luajti për shtatë sezone.
Deri më tani, Eriksen ka bërë gjashtë paraqitje për Brentford që kur u bashkua në janar, të gjitha në Premier League dhe të pesë fillimet e tij kanë rezultuar me fitore për skuadrën e Thomas Frank.
Kontributi i tij direkt ka qenë 2 asistime dhe 1 gol.
“Jam vërtet i befasuar , por nuk jam i vetmi person i befasuar kur e shoh atë duke luajtur në këtë mënyrë. Nuk dua të kujtoj çfarë i ndodhi sepse më merzitë shumë. Por ta shohësh atë të luajë në këtë nivel tani është e pabesueshme. Është e mrekullueshme”, tha Conte.
Në lidhje me faktin nëse i vjen keq që nuk nënshkroi Eriksenin, Conte ishte i sinqertë: “ Sinqerisht, askush nuk e dinte për mundësinë e kthimit të Christian në futboll. Ishte një surprizë për të gjithë. Mendoj se në këtë kuptim Brentford ishte një klub shumë i mirë për të kuptuar situatën dhe për të nënshkruar me Christian.
Një nënshkrim që ka qenë shumë i vlefshëm për Thomas Frank, i cili ka arritur të vendosë ekipin e tij në zonën e qetë të klasifikimit. Brentford renditet e 12-ta në tabelë, me 38 pikë gjithsej.
Të shtunën e ardhshme Brentford dhe Tottenham do të përballen me njëra tjetrën, në ndeshjen e 34-të të Premier League, dhe do të jetë ribashkimi mes Conte dhe Eriksen në një fushë.
“Do të jetë një gëzim i madh ta shohësh atë në fushë, duke luajtur dhe duke bërë atë që atij i pëlqen të bëjë. Jam shumë i lumtur për të. Sigurisht, ai ka pasur gjithmonë gëzim të madh duke luajtur futboll. Por nëse e ka shijuar 100 për qind më parë, tani e shijon 200 për qind. Sepse dalja nga një situatë ku nuk mund të luash futboll për të gjithë jetën, për të luajtur sërish futboll, mendoj se të bën të lumtur dhe të bën të kënaqesh shumë më tepër këtë sport dhe pasionin tënd ”, tha trajneri italian.
Vlen të përmendet se Goal ka raportuar se edhe klube në La Liga janë të interesuara për të nënshkruar me Eriksen.