×
  • Sport
  • Sport

    E thotë FSHF: Sistemi ‘VAR’ do të përdoret edhe në Shqipëri

    Reporteri
    10 Shtator 2021 | 19:13

    Federata e Futbollit Shqiptar ka njoftuar publikun se sistemi VAR do të përdoret edhe në Shqipëri.


    Ndeshja e parë në të cilën do të përdoret sistemi i ri VAR do të jetë ajo mes Teutës dhe Partizanit në “Elbasan Arena”.

    Presidenti i FSHF’së, Armand Duka gjatë prezantimit të këtij sistemi tha se sistemi i ri do t’i ndihmojë gjyqtarët të marrin vendime të drejta, por do duhet t’u japim kohë atyre që të mësohen me teknologjinë e re.

    “Edicioni i ri ka risi krahasimisht me edicionin e kaluar apo qoftë edhe me të mëparshmit. Risia kryesore është që do të kemi 30% të spektatorëve në stadium që do ta ndihmojë akoma më shumë garën dhe në një lloj mënyre do të shërbejë dhe në jetën sociale të njerëzve. Risia tjetër është përdorimi i teknologjisë në fushë, pra sistemi VAR. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që këtë vit të fillojë Abissnet Superiore me sistemin VAR në të gjitha ndeshjet. Do të doja të falënderoja të gjithë Drejtorinë e Arbitrimit në FSHF, Sektorin e IT-së, të cilët në një kohë rekord kanë bërë të mundur realizimin e projektit dhe jam i bindur që do të funksionojë normalisht. Duke qenë një gjë e re, do kërkojë përgatitje akoma më të mirë të arbitrave, që të mësohen sepse tashmë duhet të mësohen më një vendimmarrje ndryshe, me ndihmën e teknologjisë. Në njëlloj mënyre duhet të kërkojmë mirëkuptimin e opinionit dhe të mediave për t’i ndihmuar për të qenë sa më profesionalë dhe të marrin vendime të drejta dhe objektive. Kampionati nis sot dhe unë uroj që të kemi një edicion futbollistik sa më të mbarë dhe sa më të suksesshëm, garë sa më të fortë dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit e sa më pak Covid”, tha Duka.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!