Euro 2020: Sytë nga Spanja, Franca e Gjermania

Ndeshje të mëdha dhe emocione priten sot në Euro 2020.


Me 4 ndeshjet që zhvillohen sot do të mbyllet faza e Grupeve dhe plotësohen çiftet e 1/8.

Në orën 18:00 do të ndeshen për Grupin E, Sllovakia me Spanjën dhe Suedia me Poloninë, duele që do të caktojnë edhe skuadrat e kualifikuara pasi vetëm Suedia prej tyre e ka siguruar për më tej.

Si Spanja, ashtu edhe Polonia duhet të fitojnë dhe në varësi të renditjes do të përcaktohet edhe dueli në 1/8. E para e këtij grupi do të luajë me të tretën e Grupit B, C ose D ndërsa e dyta do të luajë me Kroacinë.

Grupi i Ferrit vendoset në 21:00, ku vetëm Franca deri tani e ka siguruar kualifikimin.

Gjermania do të përballet me Hungarinë e cila shpreson me një fitore ndërsa panzerave i mjafton barazimi për t’u kualifikuar.

Supersfida do të jetë ajo mes Portugalisë dhe Francës ku gjelat jane kualifikuar por duhet të bëjnë llogaritë mirë sepse nëse dalin të parën do të luajnë me të tretën e Grupit A ose C dhe nëse del e dyta do të luajnë ndaj Anglisë.

E treta e ketij grupi do të perballet me Belgjikën ose Holandën.