Vitet e 90-ta, ishin vitet më të rënda në çdo sferë për shqiptarët. Kosova ishte okupuar nga Serbia, punëtorët largoheshin nga puna, ishte mbyllur Universiteti i Prishtinës, shkollat shqipe, u dëbuan sportistët nga stadiumet dhe objektet sportive etj.
Jetë e rëndë, regjimi serb maltretonte, arrestonte, burgoste e vriste shqiptarët. Sulmonte sportistët e gazetarët sportivë. Gani Kosumi, atëkohë, e kryente punën në terren, në kohën e okupimit, herë në Çamërli, herë në Dushanovë, herë në Hogosht, herë në Dumnicë etj. Ai raportonte për Televizionin Shqiptar. Shumë herë u shantazhua e u kërcënua rëndë nga pushtuesi serb.
Sot është para pensionimit, punon redaktor i Redaksisë së sportit në Radio Kosovë. Ai tha se ka mbi 150 mijë fotografi, që e paraqesin realitetin e viteve të 90-ta, se ku luajtën sportistët shqiptar të Kosovës.
Fotografi që çuan në këmbë botën, ku panë futbollistët se si laheshin në lum e në borë, në mot të acartë. Panë se në çfarë fusha luajtën, panë edhe foto se si rraheshin sportistët tanë nga milicia serbe.
Kosumi ka në projekt të organizojë edhe një ekspozitë por çuditërisht deri me tash nuk ka marr mbështetje financiare nga Komuna e Prishtinës. Ai e ka synim që me ekspozitë, t’ju tregojë gjeneratave të reja, se çfarë kanë hequr sportistët tanë, si janë zhvilluar garat nën kërcënimet e tytave të automatikëve nga regjimi serb.