Kaos në futbollin e Shqipërisë, kërkohet ligji si i Kosovës

Futbolli i Kosovës deri më tash e shihte veten shumë prapa futbollit të Shqipërisë. Por, tani situata ka ndryshuar.


Superiorja shqiptare po i druan faktit se shumë futbollistë të mëdhenj po transferohen në Superligën e Kosovës, prej të cilës deri vonë klubet shqiptare mblidhnin “ajkën”.

Liga Shqiptare qe disa javë po e vazhdon bojkotin duke e kërkuar nga shteti shqiptar një Ligj për Sponsorizime të ngjashëm çfarë e ka Kosova, e cila këtë ligj si model e kishte marrë nga Gjermania.

Futbolli kosovar, sidomos Superliga e Kosovës, qe disa vite është ndje inferiore karshi Superiores së Shqipërisë, e cila ishte shndërruar në një “ëndërr” për futbollistët më të mirë të kampionatit kosovar, ndërsa trajnerët tanë e kishin të pamundur të depërtonin në një kampionat çfarë ishte bërë ai i Shqipërisë, shkruan Express.

Para e madhe investohej nga klubet në kampionatin e Shqipërisë, prej të cilit transferoheshin futbollistë nëpër liga tjera evropiane për shuma të konsiderueshme parash. Po ashtu, Superiorja kishte nisur të prodhonte edhe skuadra të denja për gara evropiane, e madje duke çuar klub të vetin deri fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Kështu, pak kush mendonte se në një të ardhme shumë të afërt futbolli kosovar – i cili vetëm qe 4 vjet është anëtarësuar në UEFA e FIFA – do të bëhet për t’i lakmuar futbolli i Shqipërisë.

Dhe, kjo po ndodh në vitin 2020. Eshtë infrastruktura ligjore ajo e cila po e bën për lakmi futbollin e Kosovës nga ai i Shqipërisë.

Qe disa javë kampionati në Shqipëri është ndërprerë. Liga e atjeshme po e kërkon një ligj për Sponsorizime, të cilin instucionet e shtetit nuk po ia bëjnë. Derisa shteti po refuzon kërkesën e futbollit, liga po e vazhdon bojkotin…Klubet në këtë bojkot po përkrahen dhe nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), shkruan Gazeta Express.

Presidenti i saj, Armand Duka, thotë se futbolli i Shqipërisë nuk po kërkon asgjë më shumë nga shteti sesa që shteti i Kosovës i ka ofruar futbollit kosovar – një ligj të mirë që u hap rrugë sponsorëve për investime në futboll.

“Çfarë po kërkojmë? Po kërkojmë sa Kosova, sa Maqedonia? Jemi 90 vite shtet më shumë. Buxheti për sportin është 700 mijë euro, ata japin 12 milionë euro. Nuk jemi 12 herë më keq se Kosova”, ka thënë Duka.

Liga e Shqipërisë bashkë me FSHF-në po kërkojnë nga shteti shqiptar ta bëj një ligj të ngjashëm me Kosovën sa u përket sponsorëve në sport. “Propozojmë ligjin e Kosovës, ligjin e Maqedonisë, që janë e njëjta gjë. Që do të thotë, 30 për qind e tatimit të bizneseve të ketë të drejtë të shkojë për sponsorizim”, ka potencuar ai.

Derisa liga shqiptare është në bojkot, Superliga e Kosovës e ka nisur tashmë kampionatin e ri, në të cilin vazhduan të vijnë futbollistë të famshëm nga Superiorja shqiptare. Ky fakt po e shqetëson ligën shqiptare dhe vet FSHF-në, të cilat deri vonë e merrnin “ajkën” e futbollistëve në Kosovë. Kurse, tash ka nis të ndodh e kundërta.

Kosova mori modelin gjerman, i lakmon Shqipëria

Kosova tashmë e ka një ligj mjaft të mirë për sponsorë në sport, çfarë po e lakmon ta bëjë sporti shqiptar. Mirëpo, as Kosova nuk e kishte të lehtë. Komuniteti sportiv në Kosovë gjithnjë është ndihej i lënë pas dore nga shteti.

Por, instucionet e vendit e “lanë borxhin” kur pas shumë zvarritjesh dhe vonesave vendosën ta fuqizojnë ligjin për Sponsorizime. Edhe në Kosovë deputetë e qeveritarë u frikësoheshin humbjeve tatimore, por vetëm pas takimeve me gjermanë e kuptuan se me atë ligj shteti lëre që nuk humb, por vetëm mund të përfitojë pas pak kohësh.

Në Kosovë, Remzi Ejupi ishte “fati”! Ai është president i FC Prishtinës, një biznesmen i njohur, që ka lidhje të forta e të vjetra biznesore në Gjermani. Ishte Ejupi ai i cili insistonte që Kosova ta marr model Ligjin e Sponsorimeve në Gjermani, i cili i liron 30 për qind nga tatimi në fitim të gjithë sponsorët e sportit.

Fillimisht kjo përqindje i dukej e lartë shtetit të Kosovës. Pastaj, Ejupi e kishte organizuar një udhëtim të deputetëve dhe ekspertëve nga Kosova në Gjermani për t’u njohur më saktësisht me përmbajtjen e ligjit gjerman nga vet gjermanët. Dhe, me atë rast deputetët dhe ekspertët e shtetit të Kosovës ishin bindur se ligji mund t’i sjell shumë të mira sportit dhe vet shtetit të Kosovës, duke e shtyrë përpara miratimin e tij.

“Nuk duhet harruar kontributin e deputetëve Nait Hasani, Bekim Haxhiu, dhe gjithë atyre që punuan për këtë ligj, atyre që ishin në Gjermani dhe që e shtynë përpara miratimin e ligjit në Kosovë. Meritojnë respekt e falënderime të gjithë ata që e votuan ligjin, pa të cilin futbolli dhe sporti i Kosovës do të rrezikohej me shuarje, kurse me këtë ligj, pas pak vjetësh do të shohim fryte në interes të sportit dhe shtetit”, thotë Ejupi, i cili tani po intervistohet nga mediat e Tiranës për të dhënë shpjegime dhe këshilla se si ta kalojë Shqipëria situatën e keqe të krijuar në sport.

Ai dëshiron që edhe Shqipëria të bëhet me të njëjtin ligj si të Kosovës, i bindur se është ideal për sportin shqiptar.