Kylian Mbappe nuk do të marrë pjesë në fotosesionin me Kombëtaren e Francës.
“L’Equipe” ka raportuar këtë të hënë se sulmuesi i Paris Saint-Germainit ka refuzuar të marrë pjesë në fotosesionin me Francën, që është i planifikuar për ditën e nesërme – në prag të ndeshjeve në Ligën e Kombeve.
Ky vendim nga Mbappe vjen pas raportimeve se Federata e Futbollit e Francës nuk e ka ndërmend të ndryshojë marrëveshjen për të drejtat e imazhit me futbollistët e Kombëtares A.
Përmes një deklarate në AFP, 23-vjeçari kishte treguar se ai dhe përfaqësuesit e tij ankoheshin për faktin se nuk ishte gjetur një marrëveshje mes palëve, pavarësisht gatishmërisë së tij për ri-negocim.
Ish-sulmuesi i Monacos thuhet se nuk pajtohet që emri i tij të përdoret për të promovuar sponsorë me të cilët nuk ka kontratë. Ai nuk i pëlqen disa nga markat me të cilat ekipi kombëtar bashkëpunon dhe ai nuk është i kënaqur me përfshirjen në reklamat e një marke që është larg një stili jetese të shëndetshëm, për shembull “Coca-Cola”.
Mbappe dhe përfaqësuesit e tij mendojnë gjithashtu se imazhi i disa lojtarëve përdoret më shpesh se i të tjerëve. Ata duan që lojtarët e Kombëtares franceze të kenë një agjenci mbi markat me të cilat lidhen emrat e tyre.
Kurse, “RMC” ka raportuar se seti fotografik për nesër do të përfshijë disa nga sponsorët kryesorë të ekipit kombëtar, si “Uber Eats”, “KFC” dhe “Coca-Cola”, kompani të cilat nuk pëlqehen nga Kylian Mbappe.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.