“Provokacija 2” – Serbët po ‘çmenden’ nga frika e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Vazhdojnë reagimet në Serbi lidhur me idenë e Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës për një ligë të përbashkët të basketbollit.


Për këtë ide, që është pranë realizimit, ka folur edhe presidenti i klubit të basketbollit Cërvena Zvezda, Nebojsha Çoviq. Ish-politikani serb ka thënë se bëhet fjalë për një provokim të qëllimshëm. Çoviq njihet për qëndrimin anti-Kosovë.

“Prishtina dhe Tirana asnjë veprim nuk e bëjnë e që ai mos të jetë provokim i qëllimshëm. Pavarësisht në cilën fushë bëhet fjalë, këtë herë në sport. Para dy-tri vitesh, një klub nga Prishtina ka tentuar të hyjë në Ligën ABA. Nuk ka mundur pasi kalueshmëria në ligën e parë dhe ligën e dytë të ABA-s kur është në pyetje Kosova, bëhet ekskluzivisht përmes Serbisë. Pavarësisht të gjithave, ne në basketboll Kosovën dhe Metohinë e konsiderojmë pjesë integrale të Serbisë, nën mbikëqyrjen e veçantë të bashkësisë ndërkombëtare, e cila gjithnjë e më shumë ngjanë në një okupim klasik”, ka thënë Çoviq për “novosti.rs”.

Liga e përbashkët e basketbollit me skuadra nga Kosova e Shqipëria pritet të fillojë në tetor të këtij viti. Synimi është që përmes saj të rritet cilësia e basketbollit në të dy vendet shqiptare. Po ashtu pritet të ftohen edhe ekipet nga Maqedonia e Veriut, me synim që liga të jetë një mini-ligë regjionale.

Image

Zyrtari serb ka mohuar mundësinë që liga që do të themelohet të ketë ndonjë lidhje me Ligën ABA, përkatësisht Ligën e Adriatikut, ku ndikimi serb është i madh. Kosova nuk ia ka dalë të bëhet pjesë e kësaj lige, me gjithë përpjekjet.

Çoviq ka vazhduar deklaratën me qëndrime tjera anti-shqiptare.

“Kjo që e kanë menduar tani nuk mund të jetë e ngjashme me Ligën ABA dhe nuk do të mund që prej saj të shkohet në Ligën ABA. Liga ABA vlen vetëm për regjionin që paraqet ish-Jugosllavinë. Ndoshta mendojnë se mund të bëjnë diçka të ngjashme, duke ditur që shqiptarët kanë pretendime territoriale ndaj Serbisë, që tashmë i kemi parë. Çdo ditë shohim pretendimet e tyre ndaj Maqedonisë , pak më të nënshtruara edhe ndaj Malit të Zi. Nuk e fshehin që kanë edhe ndaj Greqisë. Ndoshta kështu mendojnë të bëjnë një ligë Tirana – Prishtina. Duke pasur parasysh që Edi Rama është artist dhe i dhënë pas sportit, pasi gjithnjë mbathë këpucë sportive ‘adidas’ ndoshta i ka shkuar në mendje që ABA të bëhet ‘Albanska basketbol asocijacija’ (Asociacioni i Basketbollit Shqiptar)”, ka thënë Çoviq.

Në Federatën e Basketbollit të Kosovës kanë thënë se qëllimi i ligës është kryekëput sportiv.

“Ka të bëjë me rritjen e konkurrencës, rritjen e numrit të ndeshjeve për ekipet tona dhe të atyre nga Shqipëria e Maqedonia. Po ashtu me rritjen e interesimit për sponsorë dhe për shikues. Pra qëllimi ynë është sportiv, që t’i ofrojmë adhuruesve të basketbollit në të dy shtetet ndeshje më cilësore, një prodhim atraktiv. Të njëjtën gjë duam t’ua ‘shesim’ edhe sponsorëve. Në asnjë moment nuk e kemi pasur në mendjen tonë karakterin politik, sepse nuk ka të tillë në sport. FBK-ja punon për t’i ofruar komunitetit të saj vetëm produkte sportive, asnjëherë politike. Deklarata të këtij lloji nuk janë aspak të qëlluara”, ka thënë për Koha.net, Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së.