Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka treguar se çfarë faze është projekti për ndërtimin e stadiumit nacional.
Lladrovci në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se ky është projekt që i takon nivelit qendror, dhe se sa i përket Komunës së Drenasit në kohë rekorde janë kryer të gjitha obligimet që i takojnë karshi këtij procesi.
Kryetari i Drenasit ka bërë të ditur se deri më tani janë kryer tri fazat për realizimin e këtij projekti: studimi i fizibilitetit, shpronësimi dhe projekti ideor dhe ka mbetur në duar të Ministrisë që të fillojë me ndërtimin e stadiumit, por ka thënë se nuk ka parë lëvizje pozitive as nga Ministria e as nga Qeveria për nisjen e këtij projekti.
“Projekti për stadiumin nacional është projekt që i takon nivelit qendror. Komuna e Drenasit në kohë rekorde ka arritur t’i kryejë të gjitha obligimet e saj karshi nivelit qendror. Ministria e Kulturës nuk ka paraparë mjete për ndërtimin e Stadiumit nacional. Komuna e Drenasit ka kryer të gjitha fazat, dhe deri më tani janë investuar rreth 10 milion euro për të gjitha fazat para se të filloj ndërtimi i stadiumit. Është bërë shpronësimi i asaj zone kadastrale me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe tani parcela me RDPP është në pronësi të Ministrisë së Kulturë, Rinisë e Sportit. Kjo e fundit ka bërë studimin e fizibilitetit me kosto 1 milionë e 500 mijë euro. Vetëm shpronësimi i zonës së planifikuar për ndërtimin e stadiumit i ka kushtuar buxhetit të shtetet 6,444,664,00 euro. Gjithashtu, Kosova për këtë projekt ideor, ka paguar mbi 1 milion euro. Pritet të bëhet stadium i nivelit të lartë, me një kapacitet nga 25 – 30 mijë ulëse dhe do të jetë investimi më i madh i shtetit në infrastrukturën sportive. Pra, deri më tani janë kryer tri fazat për realizimin e këtij projekti: studimi i fizibilitetit, shpronësimi dhe projekti ideor. Komuna për secilën kërkesë të paraqitur nga Ministria e ka përmbushur në afatin optimal. Tani mbetet që Ministria të fillojë ndërtimin e stadiumit, por, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje pozitive nga Ministria e Qeveria për të filluar ne këtë projekt”, ka thënë Lladrovci në një intervistë për Reporteri.net.
Ramiz Lladrovci: Albin Kurti grahi punëve, paaftësia nuk mbulohet me video e kritika