×
  • Sport
  • Sport

    Remzi Ejupi: Në FFK nuk po punohet, është koha për ndryshime

    Reporteri
    14 Janar 2021 | 17:49

    Tema e ditës së sotme në ambientet sportive është padyshim dënimi i shqiptuar nga Federata e Futbollit të Kosovës në drejtim të Remzi Ejupit.


    Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi në një deklaratë para disa ditësh kishte kritikuar FFK’në në lidhje me dështimet e fundit. E kjo nuk u prit mirë nga FFK, pasi Ejupi u dëmtua me një vit!

    Komisioni Disiplinor e denoi Ejupin me një vit ndalesë në kryerjen e të gjitha funksioneve zyrtare në klub në raport me Federatën e Futbollit të Kosovës, pasi deklarata e tij i konsideruan si shpifje…

    Ejupi ka reaguar sërish para pak çasteve, ku në lidhje me dënimin tha se thjesht e ka potencuar atë që e mendojnë 3 milionë kosovarë. Ai tha se ka dashur të kërkojë llogari nga FFK për dështimet e fundit të kombëtares A.

    “Nuk mund të them asgjë më shumë se atë çfarë e mendojnë se 3 milionë kosovarë, pas gjithë asaj që ndodhi pas takimit me Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë, askush nuk mori përgjegjësi dhe askush nuk dha llogari. Ndeshja ndaj Maqedonisë ka qenë e vetmja shpresë për të mirë që na mblodhi të gjithëve, por na u shua edhe ajo shpresë. Duhet të japin përgjegjësi të gjithë ata të cilët e udhëheqin futbollin, si shtabi teknik ashtu edhe kryetari të dalin të paktën me një deklaratë – apo njoftim për me njoftu se për çka bëhet fjalë, pasi disa lojtarë të mirë nuk erdhën, nuk po dihet a ka harmoni brenda lojtarëve. Natyrisht se edhe ndeshja me Slloveninë është humbje shumë e madhe, pasi natyrisht ne kemi pritur që të kualifikohemi”, tha fillimisht Remzi Ejupi për “GazetaBlic Sport”.

    Pas dënimit të shqiptuar, Remzi Ejupi nuk mund të paraqitet në Kuvendin e FFK’së, por kjo nuk është problem për të, pasi FC Prishtina ka aksionarë – por sipas tij problemi qëndoron se Ademi nuk po e pranon kritikën. Ai beson se fryma e re që pritet të vijë në Kosovë – do ta prekë edhe FFK’në, pasi është koha për ndryshime.

    “Klubi i Prishtinës ka aksionarë, ai është problemi më i vogël. Problemi qëndron që nuk dëshirojnë të pranojnë kritikën, apo mendimin ndryshe. Siç duket kryetari mendon me i kontrollu të gjitha dhe t’ia mbyllë gojën të gjithëve, por kjo era e re e ndryshimeve në Kosovë do të ndikojë edhe në Federatë, pasi është koha për ndryshime, nuk ka shpresa që është duke u punu në të mirë të futbollit, duke pas parasysh se në çfarë gjendje janë të gjitha klubet, pra të mjerueshme – dhe duke pas parasysh sa kanë investu klubet që nga pas lufta deri këtu. Tani keqpërdorën mjeten që vijnë nga UEFA dhe FIFA, duhet të dihet se ata i përcjellin -kjo s’është ofenduese dhe ne si kuvendarë duhet të kërkojmë llogari dhe kjo të mos merret si ofendim. Ne duam të dijmë se çka ka ndodhë aty gjatë këtyre viteve, pasi dihet se janë ofruar mbi 40 milionë euro nga FIFA dhe UEFA, e janë zhvilluar disa ndeshjes – por s’dihet se ku janë nda mjetet”, vazhdoi ai.

    Në fund kreu i Prishtinës tha se në të ardhmen klubet mund të ankohen në UEFA dhe FIFA, pasi nuk tolerohet mënyra e tillë e menaxhimit – sikurse diktatoriale.

    “Mendoj që edhe në FIFA dhe UEFA klubet në të ardhmen do të ankohen, sepse nuk tolerohet mënyra e menaxhimit të tillë siç është duke u bë në FFK, kjo e humb atë shpresën që futbolli po shkon në rrugën e drejtë – besoj që në të ardhmen klubet e kuvendarët nuk do të lejojnë që të kryhet sistemi diktatorial. Me një fjalë, një njeri vendos për gjithçka”, përfundoi Ejupi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!