Fatlum Berisha, gjyqtarë asistent, së bashku me kolegun e tij të linjës Bujar Selimajn dhe gjyqtarin kryesorin Genc Nuza, ishin treshja e parë nga Kosova që morën stemën e FIFA-s. Paraqitjet fantastike në kampionatin kosovar të futbollit bënë që kjo treshe të përcaktohej për dalje në arenën ndërkombëtare.
Shumë ndeshje tashmë të drejtuara në Evropë, si ato zyrtare, po ashtu edhe miqësore për Berishën dhe kolegët e tij që tashmë kanë një synim: Gjykimin e kompeticioneve më të mëdha si Liga e Kampionëve apo edhe Liga e Evropës.
Rruga drejt këtij suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë për ta, sidomos për gjyqtarin nga Fushë Kosova, Fatlum Berisha, i cili një vit më parë mori një goditje të madhe, pasi që humbi djalin e tij të vetëm Drenin në një aksident komunikacioni.
Dhimbjet e Fatlumit nuk mund të përshkruhen me asnjë fjalë dhe askush nuk mund ta kuptojë gjendjen nëpër të cilën ka kaluar ai, pasi që në terrenet sportive është parë gjithmonë si një profesionist i vërtetë dhe rrallë kush ka mundur ta shohë brendësinë e tij.
Në një rrëfim ekskluziv për Gazetën “SHESHI”, Berisha ka folur për momentet më të vështira të jetës së tij, duke treguar burimin e forcës së tij për të vazhduar tutje në karrierën e tij.
“Pamja ime fizike nuk e tregon atë se çfarë dhimbje kam në brendinë time. Çfarë kam humbur unë nuk e zëvendëson asnjë gjë këtë botë… Kam vendosur ti mbledh forcat dhe po mundohem ta tejkaloj këtë dhimbje. E bëj për gruan, e bëj për vajzën dhe gjithë atyre personave që më kanë ofruar mbështetje të madhe për ta tejkaluar këtë dhimbje”, filloi rrëfimin gjyqtari nga Fushë Kosova.
Qëndrimi tij në ndeshjet e Superligës të jep përshtypjen e një njeriu të fortë dhe të përgatitur për çfarëdo situate.
Ai tregon se ku e gjen forcën për të nisur ndeshjet dhe për të patur një koncentrim të tillë.
“Përpara çdo ndeshje lutem dhe i drejtoj duart nga qielli duke thënë se engjulli im gjendet atje lart dhe ai do të më jap forcë për ta kaluar çdo sfidë”.
“Kam patur momente edhe kur jam dëshpëruar shumë dhe në ndeshje kam patur moment kur më kanë dalë lotë nga kujtimi i hidhur. Në fillim kishte vështirësi, sepse isha mësuar që para çdo ndeshje të përshëndetesha me Drenin tim, i cili më përcillte gjithmonë”, theksoi Berisha.
Berisha tashmë është i bindur për përcaktimin e tij, ndërkohë që ka një mesazh shumë domethënës për ata që mund të gjenden në situata të tilla.
“Binduni se ky është caktim i krijuesit. Ai i sfidon ata të cilët i do më së shumti. Ai na ka falur dhe te ai do të kthehemi të gjithë në ditën kur ai e ka caktuar”.
Pavarësisht të gjithë sfidave, ëndrra e Berishës për të gjykuar në ndeshjet e kompeticioneve të mëdha evropiane vazhdon.
“Shpresoj të kem shëndetin në rend të parë dhe sipas përforcmancës tonë si ekip, së bashku me kolegët e mi, Gencin dhe Bujarin, shpresojë shumë që viti që do të vjen do të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Shpresoj që Genci të kaloj në Kategorin e Dytë të nivelit Evropian, nivel ky i cili na hap rrugën të gjykojmë në Evropa Ligë deri në fazen e grupeve. Deri tani kemi patur mundësinë të drejtojmë ndeshjet kualifikuese për në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, si dhe kompeticionet e të rinjëve”, deklaroi Berisha.
Edhe kolegu i tij Genc Nuza, i zgjedhur për herë të gjashtë këtë edicion si gjyqtari më i mirë në vend thotë se forca dhe kurajo e Fatlumit është shembulli më i mirë për të gjithë, derisa beson që së bashku me të do të drejtojnë ndeshje të niveleve të larta të futbollit evropian.
“Fatlumi është shembulli më i mirë i një profesionisti. Unë kam nderin dhe kënaqësinë që fillimisht të kem një shok si Fatlumi e më pas edhe si koleg. Çdo gyqtarë dhe sportist që është në fillimet e karrierës duhet ta ketë si shembull Fatlumin. Shpresojë të kem edhe shumë eksperienca të mëdha me Fatlumin në krah si asistent”, deklaroi Nuza.
Fatlumi mbetet shembulli më i mirë i profesionalizmit, duke treguar se përmes sportit kalohen edhe dhimbjet më të mëdha. Karriera e tij është përpara dhe emri i tij shumë shpejtë mund të jetë në mesin e emerave të gjyqtarëve që mund të gjykojnë ndeshje të niveleve të larta sportive.