Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova po qeveriset nga një mentalitet krejt antikombëtar, që sipas tij, flet shqip e abuzon shqip, por asgjë shqiptare s’ka, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj, ka thënë se qeverisja aktuale s’e ka dashur kurrë asnjë të arritur të Kosovës ku ata s’kanë qenë protagonistë, teksa ka shtuar që s’e kanë dashur as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës as trashëgiminë e saj.
“Kurrë nuk e kanë dashur asnjë të arritur të Kosovës ku ata s’kanë qenë protagonistë. Kurrë s’e kanë dashur UÇK-në as trashëgiminë e saj. Kurrë s’e kanë nderuar një komandant të UÇK-së që nuk u nevojitet për kauzat e tyre të mbrapshta të pushtetit. Edhe kur vizitojnë varret e dëshmorëve, i vizitojnë sepse nuk janë të gjallë. Po të ishin të gjallë, do t’i quanin kriminelë. Kosova po qeveriset nga një mentalitet krejt antikombëtar që flet shqip e abuzon shqip, por asgjë shqiptare nuk ka”, shkroi ai.
Ky reagim vjen pas seancës plot tensione në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku opozita me çdo kusht kërkoi që të ketë debat parlamentar lidhur me përgjimin e fundit të publikuar, ku protagoniste është shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ish-deputeti Slavko Simiq dhe kryeterroristi Milan Radoiçiq.
Biseda mes tyre zhvillohej për Projektligjin për Pagën Minimale dhe votimin e kandidatëve për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.