Alen Muhic ishte një nga shumë fëmijët e lindur si pasojë e përdhunimeve gjatë luftës në Bosnje. Tani ai ka shkruar një kujtim për “një heshtje që ka zgjatur shumë gjatë.”
“Këtë libër e kam mbajtur brenda vetes për 30 vjet” thotë Alen Muhic.
I lindur nga një nënë boshnjake e përdhunuar nga një ushtar serb në qytetin e Focës gjatë luftës, Muhic u braktis në një spital në vitin 1993.
Në spitalin e Goraçdes, një kujdestar me emrin Muharem e birësoi Alenin si djalin e tij, për t’u rritur nga ai dhe gruaja e tij, Advija, si pjesëtar i familjes Muhic.
Tani, pas dekadash stigmatizimi, Muhic po boton kujtimet e tij të para, “Unë jam Alen”.
Këtë vit shënohen 30 vjet nga përfundimi i luftës së Bosnjës 1992-1995, gjatë së cilës rreth 20,000 deri në 30,000 gra ishin viktima të dhunës seksuale.
Në Focë, një qytet në juglindje të lumit Drina, gratë boshnjake u kapën dhe u mbajtën në robëri nga ushtarë serbë, përfshirë edhe të ashtuquajturit “luftëtarët e fundjavës” nga Mali i Zi. Gratë u përdhunuan dhe u torturuan sistematikisht, kryesisht gjatë verës së vitit 1992. Ndër to ishte edhe nëna biologjike e Muhic.
Në këto 30 vjet që kanë kaluar, Muhic ka qenë aktiv në avokimin për më shumë dukshmëri dhe të drejta të barabarta për ata fëmijë që, si ai vetë, janë lindur si rezultat i përdhunimeve të luftës. Ai është anëtar i Shoqatës së Fëmijëve të Harruar të Luftës, e cila synon të sigurojë njohje ligjore dhe shoqërore, si dhe respekt për fëmijët e lindur nga dhuna e luftës.
Kujtimet e tij, Unë jam Alen, janë autobiografia e parë e shkruar nga një prej këtyre fëmijëve.
“Ky libër nuk është vetëm për mua, ky është një libër për një heshtje që ka zgjatur shumë dhe për një zë që ka vendosur të mos heshtë më,” tha ai për BIRN në një intervistë.
Nuk hesht më
Muhic ishte dhjetë vjeç kur mësoi kush ishin prindërit e tij biologjikë, pasi pati një sherr në oborrin e shkollës ku një nxënës tjetër e quajti “bir çetniku i adoptuar”. “Çetnik” është një term përçmues për serbët, që i referohet milicive nacionaliste serbe të Luftës së Dytë Botërore. “Si fëmijë nuk e kuptoja origjinën time, por ndjeja se diçka nuk ishte si tek të tjerët,” kujton Muhic.
Libri i tij trajton një mori temash që lidhen me fëmijët e harruar të luftës së Bosnjës. “Një nga temat kryesore është identiteti: kush jam, nga vij, dhe si të jetosh si një fëmijë i lindur nga një përdhunim lufte. Kjo është një barrë, por edhe një mision.
“Pastaj është dashuria dhe birësimi: historia e familjes sime Muhic, e babait tim Muharem dhe nënës sime Advija, të cilët më pranuan dhe më deshën si fëmijën e tyre. Dashuria e tyre është ajo që më shpëtoi.”
Muhic thotë se libri trajton gjithashtu stigmatizimin që ai dhe fëmijët e tjerë të luftës kanë përjetuar, i shtuar edhe nga vështirësia për të jetuar “në një shoqëri që hesht për ne ose kthen kokën nga ana tjetër.”
Ai shkruan për takimin me nënën e tij biologjike, një moment kur “emocionet më pushtuan”, thotë ai. Ka deklaruar më herët se ishte në kontakt me nënën biologjike për disa muaj, por “e ndërpremë sepse nuk doja të isha vazhdimisht një traumë në jetën e saj. Edhe ajo ka kaluar shumë,” thekson ai.
Babai i tij biologjik, Radmilo Vukovic, u akuzua nga Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 2006 për përdhunimin e nënës biologjike të Muhic në Focë. Fillimisht u shpall fajtor, por me apel vendimi u rrëzua në gusht 2008.
Muhic shton se kujtimet e tij nuk flasin vetëm për përballjen emocionale me nënën biologjike, por edhe për “udhëtimin tim drejt pranimit dhe paqes me vetveten”.
Të rritesh me stigmën e të qenit i lindur nga një përdhunim lufte ishte një proces “i gjatë dhe shpesh i dhimbshëm” pjekjeje. “Teksa rritesha, zbulova copëza të së vërtetës. Disa më thyen, disa më formësuan,” tha Muhic.
“Pjekuria ime erdhi përmes të tjerëve, përmes dashurisë së babait dhe nënës sime, përmes takimeve me gra që kishin përjetuar atë që kishte përjetuar nëna ime biologjike, përmes mbështetjes së Dr. Amra Delic, përmes lindjes së djalit tim Rejjan. Secili prej këtyre momenteve më formësoi dhe më solli në pikën ku ndjeva se isha gati, jo vetëm për të folur, por për të qenë një zë.”
Sot, Muhic nuk është vetëm bashkëshort dhe baba, por edhe aktivist për të drejtat e të gjithë fëmijëve në Bosnjë dhe Hercegovinë që janë lindur si pasojë e dhunës seksuale. Edhe pse organizata si Shoqata e Fëmijëve të Harruar të Luftës kanë arritur të lobojnë me sukses për miratimin e ligjeve që u japin status ligjor dhe të drejta këtyre fëmijëve në Distriktin Brçko dhe entitetin e Federatës, Muhic beson se përplasja e brendshme e Bosnjës me këtë çështje vazhdon.
“Shoqëritë tona kanë rindërtuar ndërtesa, por nuk kanë rindërtuar shpirtin. Ndër ata që historia i ka shtyrë në margjina jemi ne fëmijët e lindur nga përdhunimet e luftës. Ne jemi ata fëmijët e harruar të luftës,” thotë ai.
“Çfarë do të doja të shihja është njohja dhe mirëkuptimi. Që shoqëria të pranojë më në fund që ne ekzistojmë, se nuk jemi një turp, por një e vërtetë. Do të doja që institucionet, arsimi, mediat, si dhe ndërgjegjja kolektive, të hapnin hapësirë për këtë çështje, jo për të kaluarën, por për të ardhmen.”
Pavarësisht sfidave që e presin, Muhic thotë se gëzon shumë bekime që i japin shpresë, si djali i tij, Rejjan: “Në sytë e tij shoh një të ardhme që nuk ka pse të mbajë shenjat e së kaluarës.”/ Balkan Insight/