Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke planifikuar që procesin e rinumërimit të vendvotimeve, ta përmbyllë ditën e sotme, më 30 janar.
Sipas përditësimit më të fundit të KQZ-së, deri në mëngjesin e së premtes janë rinumëruar 2,414 vendvotime, që përbëjnë 94,41% të totalit prej 2,557 vendvotimeve të parashikuara për rinumërim.
Ky proces, i cili ka nisur më 13 janar 2026, ka përfunduar tashmë plotësisht në 34 komuna.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, lidhur me kohën se kur do të shpallen rezultatet përfundimtare, ai tha se “kjo varet nga ora se kur do të përfundojë rinumërimi dhe se për këtë do të ketë njoftim të ri nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
Shpallja e rezultateve përfundimtare pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt, teksa pas shqyrtimit të ankesave që mund të paraqiten, pritet të procedohet me certifikimin e rezultateve./Reporteri.net/