Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetimet paraprake në Obiliq për verifikimin e saktësisë së rezultateve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, dhe për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje nga personat përgjegjës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në njoftim ka thënë se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në Komunën e Obiliqit.
“Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit. Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës”, thuhet në njoftim.
Manipulimet më të mëdha sipas të dhënave të rinumërimit në këtë komunë janë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.