Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet nesër për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net se mbledhja do të mbahet në orën 10:00.
‘’Ju njoftoj se nesër (e shtunë, 31 janar 2026, ora 10:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur më 28 dhjetor 2025’’, ka thënë Elezi.
Ai ka deklaruar se procesi i rinumërimit pritet të përmbyllet sonte, teksa shtoi se kanë mbetur më pak se 50 vendvotime.
‘’Procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, i filluar më 13 janar, pritet të përmbyllet sonte, më 30 janar. Aktualisht, kanë mbetur të rinumërohen më pak se 50 vendvotime’’, ka njoftuar Elezi./Reporteri.net