Hetimet për dyshime për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë nisur edhe në rajonin e Gjilanit.
Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.
Nga Policia e Gjilanit kanë konfirmuar për Reporteri.net se po intervistohen të dyshuarve për manipulim të votave në qendrën komunale të votimit në Viti.
Zëdhënësi i Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani tha se intervistimi është duke vazhduar.
“Jemi në proces të intervistimit në koordinim me prokurorin e shtetit të personave të dyshimtë të qendrës komunale të votimit në Viti, lidhur me veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”, tha Hashani.
Deri më tani, në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë janë arrestuar dhe ndaluar komisionerë zgjedhorë nën dyshimet për “vjedhje të votave”.
Po ashtu, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë dhe Obiliq. /Reporteri.net/