Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës.
Përmes një reagimi në Facebook, Sveçla ka thënë se ky proces paraqet një mundësi të rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit.
“Mirëpres shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, si një mundësi e rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë”, shkroi ai.
Sveçla u ka bërë thirrje në veçanti grave dhe vajzave që të aplikojnë për këtë gradë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional.
Sipas tij, kjo do të kontribuojë edhe në rritjen e përfaqësimit dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës.