Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar përvojën e vendit në rimëkëmbjen pas luftës së viteve 1998–1999, duke vënë në pah rëndësinë e vizionit për të ardhmen, demokracisë, drejtësisë dhe kontributit të diasporës.

Duke folur në Forumin e Paqes në Francë, në panelin me temën “Ta bëjmë paqen të qëndrueshme: Rindërtimi i shoqërive pas luftës”, Kurti ka thënë se Kosova zgjodhi të mos e ndërtonte të ardhmen duke u përpjekur të rikthente të kaluarën, por duke krijuar kushte për një shoqëri të re.

Sipas tij, një nga mësimet kryesore të përvojës së Kosovës është se procesi i rindërtimit nuk duhet të udhëhiqet nga nostalgjia.

Reklamë

“Mësimi i parë është se nuk mund të rindërtosh me nostalgji. Ne nuk e rindërtojmë një vend duke u përpjekur të kthehemi pas, por për të mundësuar ecjen përpara. Shtëpitë i rindërtuam, por jo domosdoshmërisht ashtu siç kishin qenë më parë. I rindërtuam për shekullin XXI”, ka deklaruar ai.

Gjatë diskutimit, kryeministri ka përcjellë edhe një mesazh për mënyrën se si duhet të qeverisin politikanët, duke kundërshtuar idenë e kufizimit të pritshmërive të qytetarëve.

Ai ka thënë se pritjet e publikut duhet të mbeten të larta dhe se përgjegjësia e politikanëve është të bëjnë maksimumin gjatë kohës që janë në pushtet.

“Do të doja të përmendja edhe një kurth që politikanët duhet të shmangin. E dini atë shprehjen e njohur për menaxhimin e pritshmërive. Unë mendoj se nuk duhet t’i menaxhojmë pritshmëritë. Përkundrazi, duhet t’i lejojmë ato të jenë sa më të larta dhe të bëjmë më të mirën që mundemi, bazuar në aftësitë, shkathtësitë, njohuritë dhe, natyrisht, edhe fatin tonë”, është shprehur Kurti.

Në këtë kontekst, ai ka theksuar se politikanët duhet të përqendrohen në rezultatet e punës së tyre dhe jo në kalkulimet për sa kohë mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet.

Reklamë

“Është më mirë të bësh më të mirën për aq kohë sa je në pushtet, sesa të mendosh se edhe sa gjatë mund të qëndrosh në pushtet”, ka thënë kryeministri.

Duke u kthyer te periudha e pasluftës, Kurti ka rikujtuar se konfliktit të viteve 1998–1999 i kishin paraprirë aparteidi dhe represioni sistematik. Ai ka thënë se vizioni i Kosovës pas luftës ishte ndërtimi i një të ardhmeje evropiane, të ndryshme nga shekulli XX, i cili u karakterizua nga dy luftëra botërore.

Sipas tij, në këtë proces rol të rëndësishëm patën optimizmi dhe entuziazmi i qytetarëve, por edhe ndihma e diasporës dhe organizatave ndërkombëtare.

Megjithatë, Kurti ka vënë në dukje se rindërtimi nuk mund të kufizohet vetëm në riparimin e dëmeve materiale. Ai ka theksuar nevojën për drejtësi tranzicionale, pasi pasojat e luftës vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në jetën e njerëzve.

Reklamë

“Shumë plagë nuk mund të shihen, ato janë në shpirtrat e njerëzve, për shkak të padrejtësive dhe krimeve që kanë përjetuar”, ka deklaruar ai.

Një tjetër çështje që Kurti e ka veçuar në fjalimin e tij është ruajtja e demokracisë gjatë proceseve të rindërtimit dhe konsolidimit të institucioneve.

Ai ka paralajmëruar se stabiliteti nuk duhet të përdoret si arsye për të kufizuar demokracinë, duke përmendur sundimin e ligjit, pluralizmin dhe përfaqësimin politik si elemente të domosdoshme për një shoqëri funksionale.

“Nuk mund ta sakrifikoni demokracinë për stabilitetin. Ju nevojitet sundimi i ligjit, pluralizmi politik dhe përfaqësimi politik. Edhe kur ruani sigurinë, nuk duhet të sakrifikoni një demokraci funksionale”, ka theksuar Kurti.

Reklamë

Në pjesën e diskutimit për zhvillimin ekonomik, kryeministri ka folur për rolin e diasporës në rimëkëmbjen e Kosovës, duke përmendur remitencat që, sipas tij, kanë arritur deri në 20 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Ai ka shpjeguar se në vitet e para pas luftës, paratë e dërguara nga bashkatdhetarët përdoreshin kryesisht për rindërtimin e shtëpive dhe mbështetjen e familjeve, ndërsa me kalimin e kohës diaspora filloi të investojë edhe në biznese në vendlindje.

“Diaspora sillte remitenca të konsiderueshme në vendin tonë, deri në 20 % të BPV-së. Fillimisht, këto mjete përdoreshin për rindërtimin e shtëpive dhe rimëkëmbjen e familjeve. Më pas, pjesëtarët e diasporës filluan të sjellin një pjesë të bizneseve të tyre dhe të investojnë në vendlindje”, ka thënë ai.

Reklamë

Kurti ka bërë të ditur se Qeveria synon ta përkrahë këtë fazë të investimeve përmes një skeme garancish financiare në vlerë prej një miliard eurosh për katër vjetët e ardhshëm. Kjo mbështetje, sipas tij, synon të krijojë mundësi për investitorët që dëshirojnë të zhvillojnë veprimtari në prodhim dhe industri përpunuese.

“Kjo është një fazë e re të cilën kemi dashur ta mbështesim. Fillimisht, përmes garantimit të një miliard eurove gjatë katër viteve të ardhshme për të gjithë ata që duan të angazhohen në prodhim dhe industri përpunuese”, ka deklaruar kryeministri.

Ai ka thënë se objektivi ekonomik është rritja e prodhimit vendor, zgjerimi i eksporteve dhe zëvendësimi i një pjese të mallrave që aktualisht importohen, me synimin për të përmirësuar bilancin tregtar të vendit.

“Ne duam t’i rrisim eksportet tona, të cilat tashmë janë dyfishuar, por edhe të zëvendësojmë disa importe, në mënyrë që të kemi një bilanc tregtar më të mirë”, është shprehur Kurti.

Përveç kapitalit financiar, ai ka vlerësuar se diaspora po kontribuon në zhvillimin e ekonomisë edhe përmes përvojës profesionale, njohurive dhe kulturës së punës të fituar në vendet e Evropës Perëndimore.

“Diaspora po sjell njohuritë e saj profesionale dhe etikën e punës nga Evropa Perëndimore, gjë që na ndihmon t’i organizojmë më mirë bizneset tona”, ka thënë ai.

Në mbështetje të vlerësimit të tij për zhvillimin ekonomik, Kurti ka përmendur edhe rritjen e qarkullimit të bizneseve, për të cilën ka thënë se është dyfishuar e gjysmë në krahasim me pesë vjet më parë.

“Nëse e krahasojmë gjendjen me pesë vjet më parë, qarkullimi i bizneseve në Kosovë është rritur dy herë e gjysmë. Dhe kjo rritje po vazhdon”, ka deklaruar kryeministri.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Kurti e ka paraqitur Kosovën si shembull të një vendi të vogël që ka arritur të shënojë zhvillim dhe përparim, duke i lidhur këto procese me demokracinë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Paneli ku mori pjesë kryeministri trajtoi sfidat e shoqërive që dalin nga konfliktet e armatosura. Në fokus ishin rindërtimi i jetës së qytetarëve, kthimi i personave të zhvendosur, qasja në arsim dhe shëndetësi, krijimi i vendeve të punës dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në institucione.