Me iniciativë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, është nisur një projekt i cili është emëruar si “Mini Schengeni Ballkanik”.
Dje në Ohër ndërkohë është zhvilluar takimi i dytë i tre liderëve, por në Maqedoni nuk ka qenë asnjë përfaqësues nga Republika e Kosovës, duke qenë se të gjithë krerët e shtetit e konsideronin si një nismë të gabuar, duke kritikuar kështu Edi Ramën se po tenton të krijojë një “Jugosllavie të vogël”.
Nga Bashkimi Evropian, kanë thënë se këto iniciativa për rritjen e bashkëpunimit rajonal janë të mirëseardhura, megjithatë japin vërejtje që duhet të jenë të përfshira të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe që nisma të tilla të jenë në përputhje me të gjitha rregullat e Bashkimit Evropian.
“Është e rëndësishme që nisma rajonale të përfshijnë të gjitha partnerët në Ballkanin Perëndimor, dhe të jenë në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian, duke u bazuar gjithmonë në angazhimet e marra më herët”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic, për Express.
Tutje Kocijancic ka thënë se bashkëpunimi regjional është një element esencial për perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në fund zëdhënësja e BE’së thotë se mirëpresin faktin se në përfundimet e Samitit të mbajtur në Ohër, thuhet se masat që do të dalin nga kjo nismë rajonale nuk do të zëvendësojnë asnjë dhe do të respektojnë të gjitha angazhimet e marra nga marrëveshjet ekzistuese siç është marrëveshja e CEFTA-s e Traktatin E komunitetit të Transportit.
Një nisme të tillë ndërkohë e ka përkrahur edhe SHBA’ja. Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se SHBA’ja e përkrahe një nismë të tillë duke e quajtur si premtuese, ndërkohë ka thënë se në të ka vend edhe për Republikën e Kosovës, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën