×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Dalin detaje tronditëse: Kështu u mbyt 52 vjeçarja nga tre të rinj

    Reporteri
    13 Janar 2020 | 18:57

    Të tjera detaje të rënda janë mësuar në lidhje me vrasjen e Drita Saliajt. 52 vjeçarja u gjet e mbytur në rezervuar, teksa autorët e krimit janë nipi i burrit të saj Luis Saliaj si dhe dy shokët e tij Ervis Zotaj dhe Sindi Shehaj.


    Ky i fundit në rrëfimin e tij para hetuesve ka dhënë detaje tronditëse mbi ngjarjen e ndodhur në Mallakastër disa ditë më parë.

    16 vjeçari ka rrëfyer se Ervis Zotaj e Lusi Saliaj kanë debatuar me gruan në lidhje me një pako hashashi që ai kishte shkuar për të blerë tek 52 vjeçarja.

    Në debat e sipër, thotë i mituri, Zotaj e ka përdhunuar 52 vjeçaren dhe më tutje me ndihmën e shokut tjetër e kanë lidhur e më pas hedhur në rezervuarin e fshatit. Trupi i 52 vjeçares u gjend i vdekur dy ditë më vonë.

    Më poshtë dosja dhe çfarë ka deklaruar 16 vjeçari Sindi Shehaj:

    Sipas dosjes, “nga shpjegimet e personit nën hetim Sindi Shehaj, i pyetur në prani të psikologes rezulton se, është banor i fshatit Çërrilë, Mallakastër. Sqaron se, i njeh personat nën hetim Ervis Zotaj e Luis Saliaj, e se ata i ka shokë”.

    “Në datën 04.01.2020, rreth orës 22:30, e ka telefonuar Luis Saliaj, e i ka thënë që të shkonte në Gjerbës ta takonte pasi ashtu e kishte punën. Në këto rrethana është nisur me makinën e tij e ka shkuar tek Luisi, ku janë takuar në afërsi te banesës së këtij të fundit.

    Në bisedë e sipër i ka thënë të linte aty makinën e tij e të merrte atë të Ervis Zotaj, pasi do të shkonin të merrnin hashash tek shtëpia e Drita Saliaj. Pas kësaj kane shkuar tek banesa e kësaj të fundit, ku sipas tij, Luisi i ka thënë që të mos hynte brenda pasi kishte pak punë.

    Ka pritur jashtë ndërkohë që Ervin Zotaj e Luis Saliaj, kanë qenë brenda duke pirë kafe me shtetasen Drita Saliaj. Pas rreth 20 minutash e ka thirrur Luisi, e është futur brenda, ku Drita i ka dhënë një gotë raki.

    Gjatë kohës që po pinte gotën e rakisë Luisi, është ngritur me pretendimin se do shkonte në tualet por në të vërtetë është futur në dhomën tjetër, e ka dalë prej andej me një pako hashash.

    Këtë të fundit e ka lënë tek pragu i derës e është futur përsëri në kuzhinë. Pas kësaj Luisi ka kërkuar që hashashin ta blinte me 50 euro, ndërsa Drita thoshte me 200 euro. Ndërkohë Luisi i ka thënë që të dilte jashtë e ta priste tek makina.

    Kur ka dalë jashtë ka dëgjuar të bërtiturat e Dritës. Është afruar tek dritarja dhe ka parë që Ervisi i ka hequr me dhunë pantallonat Dritës e pas kësaj ka kryer marrëdhënie seksuale me të.

    Ndërkohë që Ervisi kryente marrëdhënie seksuale, Luisi ka dalë jashtë ku ka gjetur dy litarë me të cilët e kanë lidhur Dritën. Pas kësaj Ervisi dhe Luisi i kanë futur në gojë një shall dhe e kanë nxjerrë jashtë duke e mbajtur në krahë dhe e kanë çuar tek makina e Ervisit.

    Makinën e ka drejtuar ai, e Ervisi ka qëndruar me Dritën në sediljen e pasme, ndërsa Luisi në sedijen e pare të pasagjerit. Pasi janë nisur Luisi i ka thënë të ecte shpejtë në drejtim te rezervuarit.

    Rreth orës 03:00, të datës 05.01.2020, kanë mbërritur tek rezervuari, ku Luisi dhe Ervisi e kanë zbritur nga makina dhe e kanë hedhur menjëherë në ujë. Pas kësaj janë kthyer në Gjerbës ku ka marrë makinën e tij dhe është larguar për në banesën e vet, ndërsa Ervisi e Luisi kanë shkuar përsëri tek banesa e Drita Saliaj.

    Në momentin e ndarjes ata e kanë porositur që të mos tregonte për gjithçka ndodhi. Në banesë ka mbërritur rreth orës 04:30, datë 05.01.2020, e atë ditë nuk ka dale nga shtëpia.

    Në datën 06.01.2020, ka çuar vëllezërit në shkollë e është kthyer përsëri në banesë, rreth orës 12:30. Në date 07.01.2020, rreth orës 02:00, tek banesa e tij ka shkuar policia, e cila e ka shoqëruar për në Komisariat”, thuhet në dëshmi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!