Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për mbylljen e të gjitha institucioneve shëndetësore private spitalore në gjithë Kosovën që ofrojnë shërbimet për rehabilitim fizikal dhe klimatik, si dhe shërbimet e terapisë fizikale me rehabilitim.
Kjo masë është marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit i shpallur tashmë si kërcënim global i shëndetit publik.
Pronari i Qendrës Rehabilituese “Nëna Naile”, Sabri Maxhuni-Novosella, e ka komentuar këtë vendim të Qeverisë – i cili ka ndikuar edhe në mbylljen e kësaj Qendre Rehabilituese – në Specialen e Klan Kosovës.
“Unë i kam dëgjuar lajmet se çka ka shkaktuar në Kinë. Tani kjo e ka kapluar Europën. Si vendim i Qeverisë nuk është përgjegjësi e imja, por e Qeverisë. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që të jem në shërbim të njeriut. Prandaj, e kam hapur këtë qendër që kujdeset për shëndetin e njeriut”.
Novosella tregoi edhe për masat që i ka ndërmarrë paraprakisht para vendimit të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Unë i kam pasur disa pacientë. Në nëntor, janar dhe shkurt ka pasur shumë pak pacientë. Tani i kam pasë 300 njerëz. Unë e kam bërë dezinfektimin e objekteve, restoranteve, banjave dhe pjesëve të tjera”.
Ai theksoi se tani pas vendimit të Qeverisë për mbylljen e këtyre institucioneve shëndetësore do të mbesin pa paga rreth 300 punëtorë që janë të punësuar tek “Nëna Naile”.
Novosella pati kritika edhe për institucionet e Kosovës për mospërkrahje.
“I kemi afro 300 punëtorë në banjë, mjekë, fiziterapeutë, në fermë, si dhe restorant. Punëtorët tani do të mbesin pa paga dhe do të jetë e vështirë. Nëse më plotësohen kushtet për t’i paguar obligimet ndaj të punësuarve të mi, mund të bisedojmë. Unë i lutem Zotit që të kalojë kjo fatkeqësi. Amerika na e ka çliruar vendin, por ne nuk kemi pushtet. Nuk kemi përkrahje. Ne duhet të kemi përkrahje për të përballuar obligimet tona që i kemi ndaj punëtorëve”.