×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Isa Mustafa i del sërish kundër Kurtit, thotë se Qeveria nuk ka të drejtë të kufizojë lëvizjen

    Reporteri
    24 Mars 2020 | 0:12

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka dalë kundër vendimit të Qeverisë për ta kufizuar lëvizjen në qytet. Ndonëse bëhet me dije se kanë votuar pro edhe ministrat e LDK-së, Mustafa ka thënë se vendime të tilla marrin vetëm deputetët.


    Ai në një postim në Facebook ka shkruar se çdo variant i tillë i kufizimit jashtë Kuvendit, është shkelje Kushtetutese.

    “Vendimin për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mund ta marrin vetëm dy të tretat e deputetëve dhe jo Qeveria. Ndryshe shkelet Kushtetuta, pa marrë parasysh kush janë ata që kanë votuar dhe në çfarë rrethana. Prandaj qeveria do duhej ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe karshi gjendjes së krijuar ti drejtohet Kuvendit”, ka shkruar Mustafa para pak minutave.

    Qeveria e Kosovës ndërkaq ka marrë vendim që të kufizojë lëvizjen në qytet, si në këmbë ashtu edhe me automjete. Reporteri ka siguruar vendimin e Qeverisë, i cili ende nuk është publikuar ende.

    “Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore);”, thuhet në pikën e parë të vendimit që e ka siguruar Reporteri.

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur të rrezikshëm, vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kurizuar lëvizjen e qytetarëve.

    “Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij sot kanë shkelur në mënyrë flagrante kushtetutën e Kosovës. Është e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës”, tha ai në një konferencë të jashtëzakonshme.

    Ai përmendi se shkelja me e madhe është bërë në nenin 56 të Kushtetutë së Kosovës që flet për të drejtat dhe lirinë themelore të njeriut.

    Thaçi ka bërë thirrje nga qytetarët që të mos e zbatojnë këtë vendim, sipas tij antikushtetues.

    “Qytetarët nuk janë të detyruar ti respektojnë vendimet anti-kushtutetesue dhe askush s’mund t’i dënojë ata për këtë. As policia dhe as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim, sepse edhe kështu bëjnë shkelje”, ka thënë ai.

    Numri me COVID 19 u rrit në 61. Vetëm sonte u shënuan 26 raste positive.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!