Tri largime të mëdha kanë ndodhur për pak kohë në Ambasadën më të rëndësishme të Kosovës, në Uashington. Konsullja Modesta Imeri u shkarkua në raundin e parë të shkarkimeve nga Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.
Ajo ishte në mesin e 14 të tjerëve të shkarkuar me pretendimin për shkelje ligjore në emërim, shkruan Reporteri.
E para pak ditëve radhën e kishte ambasadorja Vlora Çitaku. Ajo u propozua për shkarkim në mesin e 7 ambasadorëve tjerë.
Ndonëse, ajo mund të priste vendimin e presidentit Hashim Thaçi, si autoritet final për emërim e shkarkim, ajo u deklarua se në një rrethane te tillë ajo dorëhiqet dhe nuk pranon te bëhet pjesë e “luftës politike”. Të 6-të ambasadorët tjerë nuk kanë pasur një reagim, e vendim nuk kemi as nga Presidenti, nëse i miraton apo jo.
Në radhë sot ishte një tjetër zyrtar i kësaj ambasade, që u vendos të kthehej në Prishtinë. Është fjala për Rron Kryeziu, këshilltar ligjor. Ai është edhe djali i ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi.
Por edhe sa persona kanë mbetur në Ambasadën kryesore të Kosovës? Në uebfaqën e ambasadës ka pak informacione për numrin e përgjithshëm të stafit, por Reporteri.net merr vesh se tashmë kjo ambasadë mbetet në gjendje jo të mirë. Siç merr vesh Reporteri, aty tashmë stafi është shumë i vogël.
“Frymezim Isufaj, ministër këshilltar, Ilir Qeriqi, atashe ushtarak, dhe një atashe policor janë stafi i vetëm diplomatik i mbetur në ambasadë”, tha një burim i Reporterit. “Natyrisht është edhe një shofer që nuk është staf diplomatik”, tha ky burim.
Qeveria në detyrë ka vazhduar edhe me shkarkime në ambasada të tjera, apo në sjelljen e diplomatëve në Prishtinë. Në të njëjtën kohë ajo po vazhdon me emërime të bordeve në ndërmarrje publike. Aty Reporteri transmetoi se të paktën dy zyrtarë të VV-së janë emëruar dhe një tjetër i një partie në koalicion qeveritar, NDS e ministres Emilia Rexhepi./Reporteri