Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka kritikuar ministrat e Qeverisë Hoti se nuk po i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe masat për tu mbrojtur nga COVID-19, shkruan Reporteri.net.
Ajo ka thënë se respektimi i distancës duhet të vlejë edhe për ministrat.
“Kërkesa për distancë vlen edhe për ministrat. Nuk mund ta vazhdojmë seancën nëse ministrat nuk e respektojnë distancën e kërkuar nga institucionet e Shëndetësisë. Ka karrige të mjaftueshme për secilin”, ka thënë Osmani.
Në ora 16:00 pritet që të mbahet një seancë e Kuvendit ku kryeministri Abdullah Hoti do të raportojë për gjendjen me pandeminë.
Tema e vetme të rendit të ditës është raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 216 raste të reja pozitive duke çuar totalin në 4.931, prej tyre 102 të vdekur, 2.267 të shëruar, ndërkohë që 2.562 raste janë ende aktive.