Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamed Kuka, i veshur në uniformë amerikane ka fyer rëndë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ai i revoltuar me bastisjet nga policë të EULEX-it dhe arrestimet që po bëhen nga ta, para objektit ku gjenden zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë me zë të lartë se UÇK nuk ka kryer gjenocid, teksa është dëgjuar edhe duke sharë EULEX-in dhe Evropën, shkruan Reporteri.net.
“UÇK nuk ka kryer gjenocid. F*ck you EULEX, f*ck you Europe”, ka thënë ai.
Kuka që njihet me nofkën “Amerikani” është dëgjuar tek flet në gjuhën angleze para gazetarëve, të cilëve u ka thënë se përsëri do të luftojë për Kosovën nëse është nevoja.
“Ne UÇK-ja nuk kemi vrarë asnjëherë fëmijë serbë. Ne kemi luftuar regjimin e Millosheviqit dhe kriminelët. Unë jam gati të luftoj përsëri. Kjo është toka ime”, ka thënë ai.
Kuka është një ish-ushtar i UÇK-së dhe është fytyra më e njohur që nga mbarimi i luftës, që tash e 22 vjet asnjëherë nuk mungon në tubimet që lidhen me luftën.
Në çdo përvjetor Kuka qëndron i pari, duke valëvitur flamurin kuqezi dhe duke i prirë masës.
Kuka është nga qyteti i Ferizajt dhe ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur në Kosovë nisi lufta, dhe pa hezituar fare iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mos u ndarë kurrë më emocionalisht me të.
Në aksionin e sotëm të EULEX-it, është arrestuar kryetari i OVL-UÇK’së, Hysni Gucati.
Reporteri.net me të nisur aksioni, raportoi me burime se policët special të EULEX’it pritet të kryejnë arrestime gjatë aksionit në OVL-UÇK dhe një nga të arrestuarit pritet të jetë kryetari Gucati.
Arrestimi i tij u konfirmua edhe nga avokati Tomë Gashi, pak pasi Reporteri.net raportoi për ngjarjes.
Të njëjtën informatë e konfirmoi edhe avokati Gashi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera bëri të ditur se operacioni i EULEX-it po vazhdon.
/Reporteri.net