Kandidati për Kryeministër nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e sheh problematike qasjen e kundër kandidatit të tij, Albin Kurtit, karshi zhvillimeve në shtetin e Kosovës në vitet e pasluftës.
“Ne kemi problem me njerëzit që mohojnë krejt çka ka ndodhur për 20 vjet në Kosovë. E shohin si pjesë të errët të Kosovës këto 20 vjet”, tha Limaj.
Sipas udhëheqësit të Nisma, në Kosovë ka pasur probleme në qeverisje.
“Albin Kurti është duke thënë diçka tjetër. Albin Kurti deri para 6 tetorit e ka thënë në Parlament, ‘’këtu ka qenë terr, tash erdhi drita’’”, tha Limaj.
Kurti sipas Limajt mohon çdo gjë të mirë që ka ndodhur në 20 vitet e fundit.
“Ne po flasim për qëndrime, ai le t’i fiton 10 herë zgjedhjet. Unë nuk ndikohem as nga Facebook-u, as nga votat. Ajo filozofi e mohimit, që mbi sharjet, mohimin, mbi shpifjen ka ardhur deri këtu, ku është sot dhe kjo është rrënuese për vendin tonë”, theksoi Limaj në Rubikon.
Limaj theksoi se në Kosovë errësira ka përfunduar në vitin 1999.
“Errësira për Kosovë ka përfunduar në ’99-ën, kur e kemi larguar okupatorin serb. Unë nuk mund t’i them errësirë qeverisjes së Vetëvendosjes, apo Lidhjes Demokratike nëse përpiqet të bëjë mbarë e mirë për vendin. Ne mund ta kritikojmë qeverisjen e tij, por me errësirë, është mohim i kontributit, çka me i thanë Policisë së Kosovës që doli e mbrojti? – atë polici që më herët e gjuajti me gur, dje doli e mbrojti, shtet është ky”, deklaroi Limaj.
Limaj e ka quajtur liderin e VV-së ‘profet’.
“Kurti po thotë që ‘’krejt çka ka ndodhur në këtë vend, është errësirë. Kosova është e mirë, kur fitoj unë, prej sot ka ardhë dita’’– pa e bë asnjë ditë punë. Pse? – sepse tash është ndriçu dita, sepse erdh profeti”. Ai po e paraqet veten profet, pa e bërë ende asnjë punë. “Puno njëherë e të shohim a ka ardh drita a jo. Merre përgjegjësinë, për 50 ditë na tregoi çfarë drite. Ai vet e rrëzoi veten. Veten e rrëzoi, sepse prishi partneritetin”, tha Limaj.
Limaj theksoi se një logjikë e tillë përjashtuese çon në përplasje dhe në mohimin e krejt të arriturave që ka bërë ky vend.