×
  • Lajme
  • Pa kategori

    KQZ tha se votat për Kurtin nuk numërohen, VV thirrje qytetarëve: Votojeni numrin 1

    Reporteri
    05 Shkurt 2021 | 12:34

    Paqartësi të shumta janë krijuar rreth kandidimit të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit, kjo pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në broshurën e publikuar me listën e kandidatëve, ka fshirë numrat e kandidatëve të cilëve u është mohuar kandidimi.


    Por nga Lëvizja Vetëvendosje u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë numrin 1, ngase sipas tyre, të gjitha votat për numrin 1 në listën e VV-së, do të numërohen, shrkuan Reporteri.net.

    Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu ka thënë se vota për numrin 1 dhe Albin Kurtin është votë kundër padrejtësisë, që sipas saj iu bë nga institucionet e kapura.

    Në një postim në Facebook, Haxhiu ka shkruar se Kurti mund ta marrë legjitimitetin duke votuar numrin 1 në listën e VV-së.

    “Të gjitha votat për numrin 1 në listën e LV, numërohen. Vota për numrin 1 në listën tonë nuk është votë e pavlefshme as për subjektin dhe as për kandidatët tjerë.
    Vota për numrin 1 është votë për praninë që nuk mund të bëhet mungesë.
    Çdo votë për numrin 1 është votë për Albin Kurtin. Është votë kundër padrejtësisë që u bë nga institucionet e kapura.

    Disa pushtetarë, me anë të kontrollit që kanë mbi KQZ e institucione të tjera, e bënë këtë veprim vetëm që të pamundësojnë atë që dihet, që Kurti do të legjitimohet kësaj radhe me një numër shumë të madh e historik votash. Ata i tremben legjitimimit dhe mbështetjes për Kurtin sepse e dinë që atë legjitimitet ai do ta përdorë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta zhvilluar vendin. Por, Kurti mund ta marrë legjitimitetin edhe kështu, duke votuar numrin 1 në listë prandaj pas numrit 127, numrit të Lëvizjes, vazhdoni me numrin 1!”, shkruan ajo.

    Kujtojmë se fushata zgjedhore ka nisur të martën dhe do të përfundojë më 12 shkurt, kurse qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit më 14 shkurt.

    Në garë për kryeministër janë katër kandidatë: Albin Kurti nga Vetëvendosje, Avdullah Hoti nga LDK, Enver Hoxhaj nga PDK, Fatmir Limaj nga NISMA.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka kandidat për kryeministër, por kreu i saj Ramush Haradinaj është kandidat për president. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!