U.d. e Presidentes, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për televizionin e njohur amerikan CNN. Aty Osmani ka folur për karrierën e saj politike, zgjedhjet e 14 shkurtit, marrëveshjen finale me Serbinë dhe ka rrëfyer për luftën e vitit 1999, shkruan Reporteri.net.
Osmani ka thënë se në këto zgjedhje ajo po kandidon për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.
“Unë jam bashkë me z.Kurti për ta sfiduar krimin dhe korrupsionin. Njëra është nevoja për ta luftuar korrupsionin, dhe tjetra është mungesa e punës. Krijimi i vendeve të punës është pjesë e agjendës”, ka thënë Osmani.
U.d. e presidentes duke numëruar krimet e bëra nga shteti serb, ka thënë se nuk mund të ketë paqe me Serbinë pa drejtësi.
“Shumica e shoqërisë së Serbisë janë në gjendje mohimi, dhe nuk po kërkojnë falje. Parakushti për ne që të lëvizim përpara është drejtësia”, ka thënë Osmani.
Tutje kandidatja për presidente nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se pala shqiptare nuk dëshiron hakmarrje, por drejtësi.
“Ne nuk duam hakmarrje, duam drejtësi. Sapo të përfundojnë zgjedhjet, do t’i tregojmë botës të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.. Ne e dimë se kush e ka bërë luftën. Ne e dimë se civilët kanë vuajtur më së shumti”, ka shtuar Osmani, përcjellë Reporteri.net.
Osmani është pyetur edhe për kohën e luftës dhe ka rrëfyer jetën e vështirë gjatë viteve 1998-1999.
“Sikur të gjithë kosovarët unë jam rritur në një vend ku nuk jemi lejuar të flasim gjuhën tonë dhe të punojmë në vendet tona të punës. Gjatë luftës ne kemi parë ferrin me sytë tanë pasi njerëzit tanë janë vrarë para syve tanë, ShBA-ja na ka qëndruar pranë në kohët më të vështira dhe për këtë kosovarët janë përherë falënderues ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne nuk duam që të mbahemi mend vetëm si sinonim I luftës dhe korrupsionit ne kemi njerëz të rijnë që kanë potencial të madh”, ka thënë ajo.
Por gjatë intervistës, gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, ka pyetur u.d. e Presidentes, Vjosa Osmani, për arrestimin e ish-presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale ku po akuzohet për krime të supozuara kundër njerëzimit.
Amanpour i ka kërkuar Osmanit të përshkruaj situatën me të cilën gjendet dikur presidenti i Kosovës.
“Nuk mund të ketë ekuivalencë morale me atë çfarë ka bërë Serbia, sepse ato krime qenë të sponsorizuara nga shteti. Ajo çfarë ka ndodhur pas luftës në Kosovë, Parlamenti i Kosovës ka themeluar Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare. Por ka vetëm një të vërtetë për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë, që Serbia ka shkaktuar krime të luftës”, ka deklaruar për CNN Osmani.
Çfarë ra në sy gjatë emisionit ishte lidhja e Osmanit nga qyteti i Mitrovicës.