×
  • Lajme
  • Lajme

    Me 24 mars nis gjyqi ndaj ish-shefit të AKI-së dhe dy të akuzuarve tjerë për dëbimin e 6 gulenistëve nga Kosova

    Reporteri
    22 Mars 2021 | 14:56

    Me 24 mars të këtij viti është caktuar të mbahet shqyrtimi fillestar për rastin ku ish-shefi i Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani, po akuzohen për rastin e njohur të dëbimit të gjashtë gulenistëve nga Kosova.


    Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    E njëjta ka bërë të ditur se me 24 mars pritet të mbahet seanca fillestare, ku gjyqtare e këtij rasti është Violeta Namani.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 24 shkurt të këtij viti, kishte njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër tre të pandehurve, për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprën penale “privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

    “Prokuroria Speciale njofton se aktakuza është ngritur për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit D.G, V.K, kanë veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Ndërkaq, i pandehuri Rr.S, ka kryer veprën penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dhe veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhej në njoftimin e PSRK-së.

    Tutje, thuhej se kjo prokurori në aktakuzë ka propozuar që pas administrimit të të gjitha provave në shqyrtim gjyqësor, të pandehurit t’i shpall fajtorë për veprat penale që u vihen në barrë dhe t’i dënoj sipas ligjit.

    Ndryshe, aktakuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar është ngritur ndaj ish-shefit të Agjencisë se Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Valon Krasniqi dhe ndaj drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani. Ndërkaq, ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale “privim i kundërligjshëm i lirisë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!