×
  • Lajme
  • Lajme

    Maas përfundon vizitën disa orëshe në Prishtinë, krejt çka u fol në takimet e tij me Osmanin, Kurtin e Gërvallën

    Reporteri
    22 Prill 2021 | 22:14

    Autor: Mirlind Behluli


    Minsitri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, qëndroi në Kosovë gjatë ditës së enjte. Kryediplomati gjerman takoi liderët kosovarë me të cilët bisedoi për shumë çështje përfshirë dialogun, liberalizimin e vizave e tema të tjera në marrëdhëniet bilaterale.


    Maas u prit në aeroport nga homologia e tij, Donika Gërvalla, që udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

    Nga aty Maas u nis drejt Zyrës së Presidencës ku e priste Presidentja Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.

    E gjatë rrugës drejt Presidencës së Kosovës, Maas tregoi në Twitter arsyen se pse po e viziton Kosovën pasditën e së enjtes.

    “Askush në Evropë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani mund të ndajmë progresin e vaksinimit në BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është një moment kyç në luftën kundër virusit. Kjo është arsyeja pse unë jam në Prishtinë dhe Beograd sot dhe nesër”, shkroi në Twitter Maas.

    Pas një takimi 1 orësh, Osmani e Maas mbajtën konferencë për media në të cilën sqaruan se çfarë u bisedua.

    Para gazetarëve, Maas foli edhe për shumë çështje tjera përtej mesazhit që shkroi në faqen e tij në rrjetin social Twitter.

    Diplomati numër një i Gjermanisë tha se në dialogun Kosovë-Serbi duhet të ketë compromise.

    “Njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përtej kësaj nga të dy anët, kjo është normale, në dialogë mes vendeve, ka kompromise dhe unë nuk duan të heq linja të kuqe, por e di që edhe nga ana tjetër për shkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë, unë shpresoj dhe dua të ketë gatishmëri nga dy palët për të gjetur kompromise, në një kohë”, tha Maas, shkruan Reporteri.net.

    Ndërkaq nikoqirja e takimit, Presidentja Osmani, tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.

    “Dialogu me Serbinë është një proces ku Kosova ka qenë e angazhuar që nga fillimi dhe republika jonë ka ofruar dorën e bashkëpunimit, por fatkeqësisht Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë dhe ende nuk ka drejtësi për mijëra mijëra viktima të Kosovës”, tha Osmani, shkruan Reporteri.net.

    Mysafiri i rëndësishëm gjerman nuk la pa përmend edhe çështjen e liberalizimit që ende nuk ka ndodhur për kosovarët.

    Gjermani ishte shumë i qartë sa i përketë vizave.

    “I kam shprehur presidentes edhe një herë që qëndrimi i Qeverisë së Gjermanisë është i qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet”, shtoi Maas.

    Pas takimit me Osmanin, kryediplomati i Gjermanisë u prit edhe nga Kryeministri Albin Kurti.

    Për dallim nga takimi me Osmanin, Maas nuk doli në konferencë për media me Kurtin.

    Por, qeveria e këtij të fundit lëshoi një komunikatë për media në të cilën listuan temat që u diskutuan në takimin 1 orësh me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë.

    Përveç urimeve, Kurti e Maas diskutuan për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, liberalizimin e vizave, reformat në sundimin e ligjit e luftës kundër korrupsionit.

    “Ai konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

    Ministri i Jashtëm i Gjermanisë e përmbylli vizitën me mikëpritësen e tij në aeroport.

    Me ministren Gërvalla, sipas komunikatës së MPJ-së, Maas ka folur për marrëveshjet bilaterale në mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm në fushat e ekonomisë, arsimit e shkencës.

    “Kosovës u tha se do t’i ofrohet përkrahje për thellim të bashkëpunimeve bilaterale edhe në raport me shtetet e tjera të BE-së. Gjithashtu është diskutuar për marrëveshjen për njohjen e patentë-shoferëve, e cila është afër përmbylljes”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

    Pas përmbylljes së vizitës disa orëshe në Prishtinë, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka udhëtuar për në Serbi ku pritet të takohet me liderët e këtij vendi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!