Deputeti Milaim Zeka, sot e prezantoi partinë e tij me emër Partia Euroatlantike e Kosovës.
Zeka ka thënë se partia që ai drejton ka për qëllim të largojë nga skena politike të gjithë ata politikanë të cilët deri më sot e kanë zhvatur Kosovën, shkruan Reporteri.net.
Ai ndër të tjera është shprehur se rrugëtimi i Kosovës në luftën për pavarësi dhe liri asnjëherë nuk ka qenë i lehtë, mirëpo shqiptarët gjithmonë ia kanë arritur t’i realizojnë synimet e tyre.
“Po e fillojmë një luftë politike, sepse kur e kanë filluar studentët në vitin 1981 shumica nga thoshin a rrëzohet Tito, e rrëzuam. Kur filluan minatorët një herë menduam a është e mundur, ata na bënë krenarë. Për herë të parë na kanë shty me mendu në mënyrë kolektive për interesat e Kosovës. Kur e ka filluar në 1989 Rugova, shumica kemi thënë, a është normal ky njeri, a mund t’ia dalë por pastaj u bë një lëvizje gjithëpopullore. Liderët botëror duke filluar nga Bill Clinton e Wesley Clark na erdhën dhe na thanë se lufta në paqë është shumë më e vështirë se ajo kundër Millosheviqit, ne thonim si është e mundur, por sot po e shohim se kanë pasur të drejtë. Na erdhi James Rubin dhe na tha ju komandantë të luftës largohuni nga skena politike, por këta nuk e dëgjuan. Këta u tallën me James Rubinin sepse këta abuzuan me gjakun e kombit shqiptar, abuzuan me politikën vetëm e vëtëm për tu pasuruar dhe për ta zhvatë Kosovën. Sikur këta të largoheshin nga politika dhe t’i shikonin punët e veta, qoftë nëpër ferma të lopëve qoftë në ndërtim, nuk do të krijohej Gjykata Speciale”, është shprehur Zeka.
Ai ka thënë se partia të cilën e drejton ka për qëllim të krijoj një shtet ligjor ku do të funksionojnë të gjithë sektorët, duke filluar nga arsimi e deri te drejtësia.
Zeka në fund ka bërë edhe një paralajmërim duke thënë se partia të cilën ai e drejton do t’i arrestojë dhe sjellë para drejtësisë të gjithë, siç është shprehur ai hajnat e Kosovës.
“Ne në Kosovë do të bëjmë gjithçka të kundërtën, çka është ba deri më sot, do të investojmë në çerdhe, shkolla, spitale. Pacienti i Kosovës nuk do të shkojë më në Maqedoni, Serbi, Turqi. Ne do ta heqim TVSH-në në dogana që ka rjepur bizneset e Kosovës. Ne do të ndërtojmë Bankën Nacionale me titull Banka “Mërgata Shqiptare”. Do t’i ftojmë mërgatën me investu me zero interes. Mërgimtarët sot janë shpëtimi i Kosovës. Ata duhet të rikthehen dhe ta shpëtojnë Kosovën. Ne do ia nënshkruajmë BE-së dhe Amerikës që për 50 vjet me na udhëheqë Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat. Ne nuk mundemi me i udhëheqë këto institucione. Ne nuk do të dërgojmë asnjë njeri në ambasada jashtë shtetit që nuk ka lindë ose shkollu në vendet evropiane. Kurrë në jetën e partisë nuk keni me pa zyrtarë të kësaj partie duke shku në punë me makinë zyrtare. Një ka një kemi me i arrestu të gjithë hajnat e Kosovës dhe kemi me i sjellë para drejtësisë”, është shprehur Zeka në fund të fjalimit të tij. /Reporteri.net