×
  • Lajme
  • Lajme

    Fillon “drama” e Vuçiqit, nis mbledhja e Këshillit Kombëtar në Serbi

    Reporteri
    13 Maj 2022 | 11:27

    Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë është mbledhur, një ditë pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Në rend të ditës së seancës është aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan Reporteri.net.

    Kosova dje dorëzoi aplikimin zyrtar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim se Prishtina zyrtare po hap një kapitull të ri.

    Pas aplikimit, Vuçiq tha se Kosova ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit.

    Lidhur me këtë çështje kanë reaguar sot edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe nga DASH kanë thënë se Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të vendosin prioritetet e tyre të politikës së jashtme.

    “Kosova dhe Serbia janë vende sovrane që kanë të drejtë të vendosin prioritetet e tyre të politikës së jashtme”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit duke aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Me marrëveshjen e nënshkruar në shtator  të vitit 2020, Serbia dhe Kosova u angazhuan në dokumente të veçanta për bashkëpunim ekonomik, por edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Pjesë e marrëveshjes ishte një moratorium një vjeçar ndaj Kosovës që të mos aplikonte për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe Serbisë që të përmbahej nga një fushatë diplomatike për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Moratoriumi skadoi më 4 shtator 2021. 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!