×
  • Lajme
  • Lajme

    Supremja ende s’e ka ‘rrah çekanin’ për Kryeprokurorin e ri

    Reporteri
    09 Dhjetor 2022 | 15:26

    Autor: Rexhep Kameraj


    Kërkesa për rishqyrtim të vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila u dërgua në formë ankese në Gjykatën Supreme nga kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu, lidhur me zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri, nuk është trajtuar ende. Derisa ka kaluar më shumë se një muaj nga dorëzimi, Gjykata akoma nuk ka marrë vendim mbi ankesën e prokurorit Fazliu.

    Gjykata Supreme, ankesën e kandidatit për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Shqipdon Fazliu, e ka pranuar më 4 nëntor. Nga Supremja, lajmin e pati konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Antigona Uka.

    “Ju njoftojmë se në Gjykatë Supreme, me datë 4 nëntor 2022, është pranuar Kërkesa për Rishqyrtim të Jashtëzakonshëm Administrativ e ushtruar nga Sh.F., e cila, aktualisht ndodhet në punë”.

    Një muaj e pesë ditë më vonë, Gjykata Supreme nuk ka marrë ende vendim lidhur me ankesën e kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu, që u dërgua si kërkesë për rishqyrtim ndaj aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

    “Ju njoftoj se ende nuk është vendosur lidhur me rastin në fjalë”, tha Uka për Gazetën Online Reporteri.net.

    Pretendimet e prokurorit Shqipdon Fazliu, në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, nga KPK’ja, i kishte hedhur poshtë edhe Gjykata e Apelit.

    Apeli e ka refuzuar refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit dhe kandidatit për Kryeprokuror, Shqipdon Fazliu dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e cila e kishte hedhur poshtë padinë si të paraqitur pas kalimit të afatit.

    Shqipdon Fazliu bashkë me kandidatin tjetër për kryeprokuror Armend Hamitin, për të njëjtin rast ishin ankuar edhe në Gjykatë Kushtetuese, por Kushtetuesja në korrik të këtij viti e kishte shpallë të papranueshme kërkesën e tyre, pasi kishte vlerësuar se parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shterur të gjitha mjetet juridike.

    KPK-ja më 6 prill 2022 kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Nga ajo kohë, institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit funksionon me ushtrues detyre, pasi Presidentja e vendit ende nuk e ka dekretuar shefin e ri të Prokurorisë së Shtetit, me arsyetimin se ka kontestim në këtë proces. 

    Zyra e Shefes së Shtetit ka njoftuar se po pret përfundimin e të gjitha procedurave gjyqësore, para dekretimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, pasardhësit të Aleksandër Lumezit.

    “Presidentja ritheksoi qëndrimin e saj se do të pritet deri në përfundim të të gjitha procedurave gjyqësore në gjykatat e vendit në sistemin tonë të drejtësisë, para se Presidentja të marrë vendimin e saj për propozimin e KPK-së. Një qasje e këtillë, theksoi Presidentja, është e domosdoshme për ta ruajtur sigurinë juridike dhe për ta siguruar shfrytëzimin e papenguar dhe efektiv të mjeteve juridike nga kundërkadidatët, si dhe për ta garantuar besimin qytetar në proces pas vërejtjeve nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes me datë 4 tetor 2022.

    Aktualisht pozita e Kryeprokurorit të Shtetit ushtrohet nga Besim Kelmendi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!