Drejtori i Informimit në AAK, Lulëzim Blaka, ka publikuar një pjesë të siç ka thënë ai aneks të letrës së 26 prillit 2019, që atë kohë ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i kishte dërguar ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes në SHBA.
Sipas Blakajt, letra sqaron planin afatshkurtër dhe afatmesëm të armatimit, që përfshin edhe Javelin, për periudhën 2 deri 4 vjeçare (2021 – 2023).
“Armatimi anti-tank, nuk është përgatitje për luftë, apo vendim i momentit, siç disa media (kryesisht nga Tirana), dhe teoricientë qesharak konspiracioni po e pretendojnë.
Nuk është as material për t’u krekosur deputetët e VV-së e as ata minoritarë.
Është thjeshtë pjesë e planit 10 vjeçar të ngritjes së Ushtrisë, nga ai kryeministër që e themeloi Ushtrinë.
E tash, Mefë deputeti (që paska pyt se çfarë armatimi ka me na pru opozita), por edhe “konspiracionistët” dhe “ekspertët e sigurisë”, mundem me pa një pjesë, aneks, të letrës së 26 prillit 2019, nr.prot. 2468/2019 dërguar nga Kryeministri Ramush Haradinaj, për Sekretarin Pompeo dhe u.d. të Sekretarit të Mbrojtjes”, ka shkruar ai.
Javën e kaluar pasi, Departamenti amerikan i Shtetit, konfirmoi se Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh, politikanët në Kosovë janë përfshirë në një debat publik në rrjetet sociale, duke bërë ‘gara’ se kush është më meritori sa i përket blerjes së këtyre raketave anti-tank./Reporteri.net/