Pas homazheve para bustit të Kadri Zekës në Prishtinë, e para e vendit, Vjosa Osmani ka folur për peticionin e nisur sot për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore, atë të Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, shkruan Reporteri.net.
Presidentja Osmani theksoi se ligjet e Kosovës e lejojnë një procedurë të tillë e është një e drejtë që i takon qytetarëve të komunat veriore
“Sot ka nis peticioni për shkarkimin e kryetarit në komunat veriore dhe siç e dini ligjet e Republikës së Kosovës lejojnë procedure të tillë e cila është në Udhëzimin Administrativ, është e drejtë që u takon qytetarëve në komunat veriore. Si shtet që jemi pa dallueshmëri etnike ua lejojmë natyrisht edhe atyre”, tha Osmani para gazetarëve.
Osmani është pyetur gjithashtu edhe për veturën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, ku Presidenca kishte iniciuar procedurë për të riparuar atë, por që nuk kishte shfaqur interesim asnjë kompani.
Presidentja tha se vetura e ish-presidentit tashmë të ndjerë ka rëndësi të veçantë për historinë e Kosovës.
“Presidentja s’merret me tenderë, ajo çka kam kërkuar është vetura e presidentit historik të ruhet dhe për procedura të orientoheni në zyrat tona, nuk ka asnjë arsye që mos t’u dërgohen dua të ju siguroj që s’duam që ajo veturë të prishet sepse ka rëndësi të veçantë për historinë e Kosovës”, u shpreh Presidentja e vendit para gazetarëve.
Një numër i konsiderueshëm i serbëve janë mbledhur sot para sallës së sporteve në Mitrovicë të Veriut ku ka nisur nënshkrimi i peticionit për largimin e kryetarit Erden Atiq.
Mediat lokale atje raportojnë se mbledhja e nënshkrimeve ka nisur që nga ora 09:00.
Siç raporton Kossev, peticioni tashmë i nënshkruar me 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga kjo komunë deri më 22 janar duhet t’i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ekziston mundësia e shtyrjes së afatit edhe për 15 ditë.
Nënshkrimi i peticionit ka nisur edhe në Leposaviq.
E nga Policia e Kosovës kanë thënë për Reporteri.net se situata e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë parregullsi.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023./Reporteri.net/