Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka vendosur për koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA. Ndonëse nuk dihet nëse do ta kalojnë pragun, në deklaratën e tyre të përbashkët kanë paraparë edhe se si do të ndahet buxheti për grupet parlamentare, shkruan Reporteri.net.
Gazeta online Reporteri.net ka mësuar se gjatë negociatave mes AAK-së dhe Nismës, janë marrë vesh se në rast të krijimit të më shumë grupeve parlamentare pas zgjedhjeve, buxheti ndahet për kokë të deputetëve.
Ramush Haradinaj pritet të jetë bartës i listës dhe njëherit kandidat për kryeministër. Pas tij në listë do të jetë kreu i Nismës, Fatmir Limaj.
AAK pritet të ketë të rezervuar një listë me 70 kandidatë për deputetë, Nismës i janë lënë 30 vende dhe 10 vende tjera do të lihen për aderime të mundshme.
Renditja në listë zgjedhore do të jetë, dy kandidatë të AAK-së dhe një i Nismës.
“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë frontin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike”, thuhet në tekst.
Zyrtarizimin e këtij koalicioni e kanë bërë edhe në një konferencë të përbashkët për media kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Haradinaj ka thënë se diskutimet për këtë koalicion kanë zgjatur disa muaj.