Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur sot se qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.
Vendimi u mirëprit menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
I Dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pak minuta pasi Kurti njoftoi për vendimin, në një konferencë për media bashkë me presidenten Vjosa Osmani, emisari amerikan tha se ky hap që ndërmori sot Qeveria e Kosovës, ishte i domosdoshëm.
“Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.
Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit të Deçanit, i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, nga ambasadorët e akredituar në Kosovës, u konsiderua si hap pozitiv në fushën e sundimit të ligjit.
“Kosova demonstroi përkushtim duke çuar përpara çështjen e pronave të Manastirit”, tha amabasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, derisa në reagimin e tij në “X” etiketoi edhe ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien.
“E vlerësoj vendimin për të çuar përpara regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit- duke demonstruar përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Siç tha sot në mëngjes zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”, shkroi Hovenier.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde edhe pse e quajti vendim të vonuar, tha se ky shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit, derisa e cilësoi si moment historik.
“Më në fund u bë🙌🏽 Edhe pse zbatimi i Kosovës për vendimin e Manastirit të Deçanit ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit⚖️. Urojmë qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit në këtë moment historik”, ka shkruar Rohde në “X”.
Vendimi është mirëpritur edhe nga shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Szunyog theksoi se ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së.
“Një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë! Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit & regjistrimi i tokës së manastirit më në fund bëhet realitet”, shkroi Tomas Szunyog në platformën “X”.
“BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës”, ka shkruar Szunyog.
“Guxim politik” e konsideroi ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vendimin e Qeverisë. Ai në një reagim në “X” theksoi se e ka mirëpritur këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, dhe se siç tha ai kjo dëshmon përkushtimin për sundimin e ligjit.
Vendimi i Qeverisë për pronat e Manastrit të Deçanit, Szunyog: Ditë e mirë për sundimin e ligjit
Vendimi i Qeverisë që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është mbështetur edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
“E përkrah plotësisht vendimin, më mirë vonë se kurrë, të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Manastirit të Deçanit. Inkurajoj lidershipin e Kosovës të vazhdojë të punojë me aleatët tanë të përbashkët në demonstrimin se Republika e Kosovës është me të vërtetë partnere e rritur, e besueshme, e komunitetit euro-atlantik”, ka shkruar Rama në Twitter.
Por në anën tjetër, kryeministri Kurti është kritikuar nga spektri politik opozitar.
Në një postim në Facebook, Kryetari i Deçanit pati edhe ca fjalë për Kurtin duke thënë: “Kur nuk je i zoti të bësh një hajr në këtë vend, është mirë të mos i bësh as sherr këtij vendi”, e ka porositur Ramosaj kryeministrin Kurti krejt në fund të postimit”.
Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në një reagim të shkurtë në rrjetet sociale tha se“Mashtrimeve të Albin Kurtit me kauza të rrejshme tashmë po ju vjen fundi”.
Pas vendimit të Qeverisë që Agjencia Kadastrale e Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për tokat e Manastirit të Deçanit, reagoi edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. Ai madje tha se kryeministri Kurti krejt jetën politike e ka të bazuar në tërheqje, dorëzim dhe mashtrim.
Ndërkaq, deputeti i Aelancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka ironizuar me kryeministrin Albin Kurti duke e pyetur se “a e lëshoi bajrakun”.
“HAHAHAHAHA, Ku je o Albin patrioti???? A lëshove bajrakun a?”, ka shkruar Lekaj në Facebook.
Reagoi ashpër edhe ish-deputeti i VV-së, Haki Abazi, i cili ka thënë se kjo “paku quhet tradhti”.
Sipas Abazit, Kurti i opozitë do ta pështynte më fytyrë Kurtin e pozitës.
“Me përkujtu masakrën e Mitrovicës dhe pas një ore me i falë tokë Kishës Ortodokse Serbe duke shkelur mbi gjakun e aktivistëve dhe kauzat kombëtare, më së paku quhen tradhti. A kërkoi Kisha Serbe falje për krimet e bëra në Kosovë? Një njeri i ligë e i sëmurë pas pushtetit mund ta bëjë këtë gjë. Po të ishte në opozitë Kurti sot do ta kishte pështyrë në fytyrë Kurtin në pushtet, do ta kishte djegë Prishtinën e aktivistët do t’i shtyente drejt vdekjes!”, ka shkruar Abazi në Facebook.
“Hipokrizia shkon tutje, Donika Gervalla e ka njoftu këshillin e Evropës për vendimin e Qeverisë për urdhërin që qeveria i ka dhënë agjensionit katastral për zbatimin e vendimit për pronat e Kishës. Pse Jo vet Kryeministri, Pse Donika Gërvalla, me ndyt edhe një herë emrin e babait!?!? Çfarë do të ndodhë me pretendimet tjera të bazuar në këtë precedent!”, ka shkruar më tej Abazi.
Dorëzimi i Kurtit për tokat e Manastirit të Deçanit, dikur e cilësonte si “vendim të regjimit të Millosheviqit”
Dikur e kishte cilësuar si “vendim të regjimit të Millosheviqit”, por dy vite pas kësaj deklarate, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar po të njëjtin vendim për pronat e Manastirit të Deçanit.
Në shkurt të vitit 2022, Kurti e kishte thënë se “vendimet e tilla nuk mund të jetojnë në shekullin tonë”.
“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë. Ne nuk mund të kthehemi as para vitit 1999, e as para 2008 e 2012, kur është hequr mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë gjëra të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, jemi këtu ku jemi dhe çfarëdo përpjekje për t’u kthyer në të kaluarën unë besoj që nuk mund të ketë të ardhme”, kishte thënë Kurti në një invervistë për RTK-në, pikërisht në përvjetorin e pavarësisë të vitit 2022.
Ndërsa, ditën e sotme në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dhënien e tokës së Manastirit të Deçanit.
I pari i Qeverisë madje tha se krahas kësaj, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka kërkuar notë verbale lidhur me këtë çështje në Këshillin e Evropës.
“Sot i kemi thënë Agjensionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kurse ministrja Donika Gërvalla i ka kërkuar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës. Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit Asambledhja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe në fund të majit, Këshilli i ministrave në Këshillin e Evropës që vendos për anëtarësimin tonë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Gazeta Online Reporteri.net, javën që shkoi, raportoi me burime se Qeveria e Kosovës po punon në drejtimin e mënjanimit të pengesave që mund t’i paraqesë Agjencia Kadastrale e Kosovës karshi implementimit të aktgjykimit të vitit 2016 që njeh Manastirin e Deçanit si pronarin legjitim të 24 hektarëve tokë dhe pyje përreth. Sikurse që ekzekutivi ka nisur komunikim me Komunën e Deçanit që drejtohet nga partia opozitare AAK, për ta bindur kryetarin Bashkim Ramosaj që të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
/Reporteri.net/