×
  • Lajme
  • Lajme / Obligimi i presidentes

    AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

    Reporteri
    16 Korrik 2024 | 12:19

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që të formojë qëndrim rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, që u miratua javën e kaluar në Kuvend, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një komunikatë për media, AGK thotë se po ndjek me interesim reagimet pas miratimit të Ligjit për KPM-në.

    Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.

    AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, thuhet në reagim.

    Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

    Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, përfundon komunikata e AGK-së.

    Kujtojmë se me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime, në Kuvendin e Kosovës është miratuar  të enjten në lexim të dytë Ligji për KPM-në.

    Partia në pushtet miratoi Projektligjin me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro dhe që është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.

    AGK-ja, organizata të huaja, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Misioni i OSBE-së e ambasada të huaja kanë thënë se Ligji nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Evropës.

    Përpjekje për të futur mediat online nën kontrollin e shtetit, çka parasheh Ligji për KPM-në që nxiti reagime të ashpra

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!